English

Papunësia, ministria: PS e sindikatat, sulm politik me shifrat

Tiranë, 7 prill NOA/ Blerina Ahmetaj -Shërbimi Kombëtar i Punësimit, institucion në varësi të ministrisë së Punës, i cilëson akuzat e fundit të opozitës dhe sindikatave ndaj shifrave të papunësisë, si një sulm politik kundër arritjeve të qeverisë në luftën ndaj zbutjes së varfërisë.

I pyetur nga agjencia kombëtare e Lajmeve "NOA", kreu i këtij institucioni Thoma Miço, ka deklaruar sot se shifrat e dhëna nga PS e sindikata, sipas të cilave janë shkurtuar 20 mijë vende pune, janë të rreme.

Sipas tij, në tregun e punës lëvizjet, pra largimet, punësimet dhe ripunësimet janë një fenomen normal.

"Nëse dikush llogarit si humbje të vendeve të punës këto lëvizje apo akoma më shumë si të papunë, fshatarët që ligjërisht quhen të vetëpunësuar për shkak të tokës që kanë në pronësi, e që për fatin e mirë të tyre rreshtohen në listën e personave të dypunësuar; është ose injorancë, ose mashtrim politik", tha Miço.

Sipas tij, këto deklarata janë sa të pabaza, aq edhe të palogjikshme sepse në tregun e punës nuk mund të bësh deklarata të tilla pa pasur parasysh dinamikën e këtij tregu.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka theksuar se këto akuza synojnë të prekin një nga pikat delikate dhe mjaft të ndjeshme të opinionit tonë.

"Deklarata të tilla kanë vetëm synime të pastra politike të cilat synojnë të zbehin punën dhe politikat sociale që qeveria ka ndërmarrë në drejtim të punësimit.

Shpifjet e këtij karakteri nuk mund të fshehin arritjet dhe luftën e qeverisë për zbutjen e papunësisë.

Ato nuk mund të fshehin krizën e thellë që ka pushtuar opozitën brenda saj edhe në syrin e opinionit ndërkombëtar e që lidhet vetëm me humbjen e kredibilitetit të saj", tha kreu i këtij institucioni, Thoma Miço.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE