English

Rama: Aksioni për hapjen e kutive do vazhdojë

Tiranë, 7 prill, NOA - Nuk ka asnjë rrugë tjetër veç protestës për të hapur kutitë ku fshihet krimi elektoral i 28 qershorit.

Një akuzë e tillë u ngrit nga kryesocialisti Edi Rama, gjatë fjalës që mbajti në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku pritet të diskutohen ndryshimet statutore të kësaj force politike.

"Qeveria e Berishës nuk fundosi vetëm zgjedhjet, por edhe ekonominë vendase dhe pikërisht, transparenca e zgjedhjeve që ne kërkojmë, përbën barrikadën për krizën vendase", tha Rama.

Por sipas tij, kur fatet e vendit merren peng nga një pushtet që grabit votat, opozitës i lind detyrimi që të bëhet njësh me popullin.

"Kjo është një betejë e vështirë përballë një kundërshtari që nuk ndihet i kufizuar nga ligjet", shtoi kryesocialisti.

Sipas Ramës, plot 8 muaj pasi opozita nisi aksionin e saj, ka dalë në dritën e diellit se në ato kuti fshihet krimi i tjetërsimit të votës së zgjedhjeve.

"Dhe të gjithë tani e dinë, se Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet, por kutitë u mbushën si në Ruzhdie dhe sot shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre këtë krim elektoral", tha ai.

Duke shtuar në fund se hapja e kutive përbën një kusht për demokracinë e vendit dhe se qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE