Moskë, 7 prill, NOA - Rusia edhe mund të tërhiqet nga traktati i ri ruso-amerikan i armëve strategjike, nëse sistemi i mbrojtjes nga raketat që Amerika planifikon të dislokojë në Evropë përbën kërcënim strategjik për të.
Një fakt të tillë e ka pohuar vetë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke shënuar kështu komentin më të drejtpërdrejtë që Rusia ka bërë deri tani lidhur me arsyet e tërheqjes nga Traktati për Pakësimin e Armëve Strategjike.
Ndërsa pritet që ky traktat të nënshkruhet nga presidenti amerikan dhe ai rus të enjten në Pragë, Moska ka shprehur shqetësim lidhur me planet e administratës për të rishikuar sistemin e planifikuar për mbrojtje nga raketat, i cili mund të përfshijë interceptorë tokësorë të dislokuar në Rumani.
Lavrov tha lidhur me një fakt të tillë se Moska ka të drejtën të tërhiqet nga traktati nëse interceptorët amerikanë bëhen të aftë të rrëzojnë raketa strategjike ruse dhe të dobësojnë sistemin e saj për mbrojtje nga sulmet bërthamore.
n.e/NOA