Me zgjedhje si në Ruzhdie s'ka asnjë mundësi të ketë demokraci, drejtësi, ekonomi si në Europë, prandaj hapja e kutive të Ruzhdieve dhe garantimi i popullit shqiptar që ato që ndodhën në 28 qershor nuk do të përsëriten më kurrë përbën një kusht themelor për të dalë jo vetëm nga kriza e demokracisë, por edhe nga kriza e ekonomisë
Nga Edi Rama*
Kryetar i Partisë Socialiste
Kur fatet e një vendi merren peng nga një pushtet i dalë jashtë vullnetit të popullit, qytetarëve u lind e drejta dhe detyrimi të rimarrin në dorë fatet e tyre. Kur fatet e një vendi dhe të një populli nëpërkëmben nga një pushtet si ky që ka grabitur votat, për të grabitur Shqipërinë, një opozite si e jona i lind detyrimi i pashmangshëm që të bëhet njësh me popullin, për të vënë në vend liri dhe të drejta që nuk negociohen. I falënderoj të gjithë ata ndër ju që janë përfshirë me kuraje dhe përkushtim në organizimin e protestave të këtij muaji, për lirinë e votës dhe ndalimin e rrënimit ekonomik.
Qeveria e Sali Berishës nuk fundosi vetëm zgjedhjet duke i humbur Shqipërisë një tjetër shans të madh, ajo po fundos edhe ekonominë shqiptare duke bërë të humbasim mijëra vende pune çdo muaj. Protesta jonë për transparencë është njëkohësisht barrikada jonë kundër rrënimit ekonomik. Barra e opozitës sot, është bërë zëri i shpresës dhe shëmbëlltyra e indinjatës qytetare, për tatëpjetën e demokracisë dhe ekonomisë ku po rrëshqet përditë Shqipëria. Çdo ditë një protestë për të mbërritur në 30 prill në bulevardin e Tiranës në mesazhin e forcës së arsyes popullore për hapjen e kutive, largimin e qeverisë, ndalimin e rrënimit ekonomik.
Kush e ka përqafuar kauzën e drejtë të çlirimit të zgjedhjeve nga mekanizmi i korrupsionit qeveritar, e ka ditur, qysh në krye të herës se kjo është një betejë e vështirë përballë një kundërshtari që ndër vite ka provuar dhe nuk ndihet i kufizuar nga ligjet dhe nga rregullat e bashkëjetesës demokratike. Por dimë gjithashtu se pa çliruar zgjedhjet në këtë vend nuk do të çlirojmë dot asnjëherë zgjidhjet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e aspiruar në çdo familje shqiptare.
Sot, plot 8 muaj pasi Partia Socialiste filloi aksionin e saj, mes mjegullës së dendur dhe agresionit dhe diversionit të pushtetit ka dalë e qartë si drita e diellit se në kutitë e mbyllura me pahir, fshihet krimi i tjetërsimit të rezultatit të zgjedhjeve. Sot e dinë jo vetëm ata që e kanë kryer atë krim, por e kanë marrë vesh të gjithë, se në 28 qershor Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh dot vetëm se zgjedhjet u morën peng, duke mbushur kutitë si në Ruzhdie. Sot është bindje për të gjithë se Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjedhë dhe më keq akoma sot shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre çmimin e këtij krimi duke humbur vende pune, duke humbur fuqi blerëse, duke humbur pavarësi ekonomike në një tunel borxhesh që tanimë po prekin edhe brezin e ardhshëm.
Sali Berisha jo vetëm grabiti zgjedhjet, ai po rrënon edhe ekonominë e çdo zgjedhësi. Beteja jonë është e vështirë, si çdo betejë që historia njeh mes një populli të grabitur në të drejtën e votës dhe një qeverie që pushtetin e saj nuk e ka në zemrën e shumicës së votuesve, po në potencialin korruptiv të një makinë shtetërore të bërë njësh me interesat e qeveritarëve.
Fitorja e kësaj beteje opozitare do të shënonte fillimin e fundit jot ë kësaj qeverie, po të një modeli të përçudnuar demokracie pa demokraci, drejtësie pa drejtësi, ekonomie pa qëndrueshmëri. E vërtetë e thjeshtë sot është se keqqeverisemi nga një pushtet që ka frikë të jetë transparent me qytetarët për gjithçka që nga zgjedhjet, e deri tek ekonomia. Një pushtet që duke i ikur së vërtetës të kutive të votimit, po i ikën përditë e më shumë të gjitha të vërtetave, duke manipuluar çdo shifër dhe tjetërsuar çdo të dhënë. Një pushtet që ka rënë moralisht dhe politikisht dhe që po e rrënon Shqipërinë edhe ekonomikisht.
Ky është një pushtet pa të ardhme që e mban peng Shqipërinë me armët e të shkuarës. Ata që tetë muaj më parë nuk e kuptuan, nuk e besuan, nuk e lanë dot pa shpotitur, por edhe tallur kauzën tonë të transparencës, ose dhe më keq, pikërisht sepse e kuptuan rëndësinë jetike të saj për të ardhmen e lirisë, e sulmuan me të gjitha mënyrat, sot gjenden përballë faktit se kjo çështje as nuk mund të shuhet vetë, as nuk mund të mbyllet me pahir dhe assesi nuk mund të kalojë pa u kthyer në gur themeli për të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri.
E kanë kuptuar dhe e kuptojnë përditë e më mirë shqiptarët se tek mungesa e transparencës, tek zgjedhjet e vjedhura dhe faktet e kyçura në errësirë, gjenden sot rrënjët e të gjitha problemeve që mbajnë peng të ardhmen. Ashtu siç po kuptojnë që Partia Socialiste nuk tërhiqet nga fusha e kësaj beteje pa u kthyer njerëzve shpresën dhe besimin tek zgjedhjet, lirinë dhe të drejtën për të gjykuar me votë qeverinë, shanset dhe rrugët dhe zhvillimet e mirëqenies së tyre individuale dhe kombëtare, pavarësisht ngjyrës së pushtetit.
Me zgjedhje si në Ruzhdie s'ka asnjë mundësi të ketë demokraci, drejtësi, ekonomi si në Europë, prandaj hapja e kutive të Ruzhdieve dhe garantimi i popullit shqiptar që ato që ndodhën në 28 qershor nuk do të përsëriten më kurrë përbën një kusht themelor për të dalë jo vetëm nga kriza e demokracisë, por edhe nga kriza e ekonomisë.
Një qeveri që populli nuk e ndal dot me votë, është një regjim që nuk ndalet dot përpara asgjëje. Është një forcë mbytëse për demokracinë, që nuk ndjen kurrfarë përgjegjësie ndaj qytetarëve, as për ligjshmërinë, as për ekonominë e vendit, as për korrupsionin e kudo ndodhur, as për varfërimin e pa punësimin e përditshëm të njerëzve, as për rritjen e papërballueshme të çmimeve, as për të ardhmen e fëmijëve.
Është një oborr familjarësh e klientësh që tjetërsojnë liri, të drejta, prona dhe pasuri, duke shkelur Kushtetutën, ligjin, lirinë dhe të drejtat e kujtdo që nuk është pjesë e këtij oborri. Cilido që jeton jashtë këtij oborri duhet ta kuptojë se s'ka asnjë rrugë tjetër, veç protestës për të marrë në dorë fatet e tij, prandaj Partia Socialiste është këtu për ti bashkuar të gjithë, për të refuzuar faturat e papërballueshme të kësaj qeverie që zhytet përditë në borxhe, duke kufizuar përditë liritë dhe të drejtat dhe rritur çdo ditë çmimin e jetesës për çdo familje.
Çdo ditë një protestë që të gjithë në 30 prill të takohemi në bulevardin e Tiranës. Është edhe më shumë se dje, dita që të gjithë qytetarët të rimarrin në dorë fatin e tyre të marrë peng prej një pushteti që pasi grabiti votat po rrënon ekonominë e vendit dhe të çdo familjeje shqiptare. Është edhe më shumë se dje dita për të gjithë ata që jetojnë me punë të ndershme të rimarrin në dorë fatin e familjeve të tyre për të dalë nga kurthi i krizës ekonomike. Është edhe më shumë se dje dita që të papunët të rimarrin në dorë fatin e tyre të mbetur jetim, në duart e atyre që jo vetëm grabitën votat në 28 qershor, por po u mbyllin përditë vende pune. Është edhe më shumë se dje dita për të bashkuar forcat, për të ndëshkuar krimin elektoral dhe hapur kutitë e shpresës dhe të punësimit përmes protestave pa ndalim. Është edhe më shumë se dje dita për të gjithë sipërmarrësit të rimarrin në dorë fatin e tyre të nëpërkëmbur nga një pushtet që siç shkeli me këmbë kontratën me popullin duke grabitur votat, i ka vënë shqelmin çdo kontrate që garanton liri dhe të drejta për sipërmarrje. Është edhe më shumë se dje dita të ndalim përshkallëzimin e abuzimeve shtetërore ndaj sipërmarrjes që po tkurret përditë duke mbyllur vende pune dhe duke paguar gjoba të rënda të arrogancës antikushtetuese, të një pushteti të cilit duhet ti vëmë përballë fuqinë e protestës popullore. Është edhe më shumë se dje dita për të gjithë rrogëtarët e keqtrajtuar të shtetit në administratë, spitale, shkolla, agjenci e ndërmarrje shtetërore, të rimarrin në dorë fatin e tyre si qytetarë që nuk mund të kthehen në skllevërit e një pushteti të ngritur mbi korrupsionin e votës dhe futjen kudo të frikës për largimin nga puna për një llaf goje.
Të bashkuar mund ti japim fundin që meriton këtij pushteti që pasi fundosi zgjedhjet, po fundos edhe ekonominë, duke i lënë njerëzit përditë e më të papunë, përditë e më të pashpresë. Është edhe më shumë se dje dita për të gjithë bujqit, fermerët e peshkatarët, ushtarakët e liruar, minatorët në aktivitet a në pension, komuniteteve të prekura nga padrejtësitë mbi pronat, shoqatat e organizmat e shoqërisë civile, të gjithë ata që nuk gjejnë shteg në xhunglën ku shkelen të drejtat dhe liritë kushtetuese për këdo që nuk është pjesë e familjes në pushtet, të rimarrin në dorë fatin e tyre si njerëz që në mes të Europës nuk mund të vidhen, as në lirinë e tyre për të zgjedhur dhe as në të drejtat e tyre për të jetuar si të barabartë para ligjit.
Është edhe më shumë se dje dita që ti japim me njëri tjetrin dhe për njëri- tjetrin jetë një proteste pa ndalim, për të mbyllur një kapitull të shëmtuar padrejtësisht, të cilat rrënjët i kanë tek deformimi i vullnetit të njerëzve në kutinë e votimit.
(*) Fjala e mbajtur sot gjatë Asamblesë Kombëtare të PS