Tiranë, 7 prill, NOA/ Blerina Ahmetaj - E gjithë bota po numëron një popullsi më të madhe në qytet se në fshat dhe kjo kërcënon popullsinë nga sëmundjet e ndryshme infektive.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë një nga kërcënimet e shëndetit publik është ndotja e ajrit prej të cilit këtë vit pritet të vdesin rreth 1.2 milionë njerëz në botë.
Edhe Shqipëria nuk përjashtohet nga rreziku që i kanoset shëndetit publik si pasojë e mbipopullimit të qyteteve.
Lëvizjet demografike të viteve pas '90, kanë rritur disa fish numrin e popullsisë në qytetet e mëdha duke rritur alarmin e përhapjes së sëmundjeve të ndryshme që vijnë nga faktorë në risk socialë.
Shëndetësia shqiptare ka dhënë alarmin për kryeqytetin tonë, Tiranën, i cili numëron sot rreth 1 milionë banorë.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka theksuar se për mbrojtjen e shëndetit publik duhet bashkëpunim i qeverisjeve dhe zbatimi i politikave shumëplanëshe.
Ndërsa ekspertja e zyrës së OBSH në Tiranë, Ledia Lazri, theksoi se qytetet ballafaqohen sot nga një kërcënim i trefishtë, që janë sëmundjet infektive, sëmundjet ngjitëse dhe dëmtimet aksidentet rrugore, dhuna e krimi.
Ajo e konsideroi Shqipërinë ndër vendet e para në rajon përsa i takon ndotjes së ajrit e cila shkakton sëmundje kancerogjene me pasojë vdekjen.
Lazri tha se qytetet shqiptare gjenden sot të papërgatitura para këtij rreziku.
Sipas të dhënave të ISHP, trafiku dhe pluhuri i shkaktuar nga makinat përbën shkakun kryesor të ndotjes së ajrit dhe pranisë së gazrave kancerogjene.
Situata paraqitet më problematike në Tiranë ku ndotja e ajrit është katër herë më e lartë se normat e Bashkimit Evropian.
Grimcat e respirueshme që shkaktohen nga pluhuri prej vitesh rezultojnë në nivele të larta krahasuar me normat e bashkimit Evropian.
Qëndrueshmëria e shifrave tregon se nuk janë marrë masat e duhura për reduktimin e ndotjes së ajrit.
Sipas parashikimeve të ekspertëve të OBSH, gjatë 30 viteve të ardhshme, pothuajse e gjithë rritja e popullsisë do të jetë në zonat urbane dhe varfëria globale është duke u përqendruar në qytete.
Për këtë arsye nevojiten politika të shëndosha në të gjitha fushat e qeverisjes për përmirësimin e shëndetit urban.
b.a/n.e/NOA