Tiranë, 7 prill, NOA - I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli i Uashingtonit, një 43-vjeçar shqiptar është ekstraduar sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Bëhet fjalë për Françesk Pashkun, banues në Trush të Shkodrës, ndaj të cilit gjykata e Floridës ka lëshuar urdhër-arrestin me numër 92-52-CR-J-20B, në vitin 1999, për kryerjen e veprave penale të "Mashtrimit", "Transportimit të mjeteve të vjedhura" dhe "Trafikimit të mjeteve motorike e kryer në bashkëpunim", të parashikuara nga ligji penal amerikan.
Ekstradimi i tij është kryer nga zyra e Interpolit të Tiranës, në bashkëpunim me marshallët amerikanë, pasi i lartpërmenduri gjatë viteve 1997-1998 është përfshirë në vjedhjen dhe transportin e automjeteve luksoze nga Nju Jorku drejt Jacksonville në Florida me qëllim rishitjen e tyre.
Ndërkaq, arrestimi i tij në territorin shqiptar u krye më 23 dhjetor 2009, me qëllim ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
n.e/NOA