Tiranë, 8 prill, NOA - Lidhur me deklaratat e bëra në seancën plenare nga deputetë socialistë se administrata shtetërore dhe ata ende nuk i paskan marrë pagat e tyre, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Financave, e cila e ka hedhur poshtë një akuzë të tillë.
"Sqarojmë se deklaratat e dhëna që administrata shtetërore dhe deputetët e Partisë Socialiste nuk i kanë marrë pagat e tyre, janë plotësisht të pavërteta", thuhet në një njoftim zyrtar të shpërndarë nga zëdhënësi i këtij institucioni, Elvi Fundo.
Sipas tij, të gjithë punonjësve të administratës shtetërore dhe deputetëve të Partisë Socialiste u janë shpërndarë pagat për të gjithë periudhën e deritanishme.
Gjatë seancës së sotme plenare, deputetë socialistë përmendën gjatë fjalës së tyre, duke folur në tërësi për krizën ekonomike në vend, se nuk qenkan marrë rrogat e muajit mars të administratës shtetërore, por kryeparlamentarja Topalli i ka kundërshtuar, madje dhe ka ironizuar me ta, duke i pyetur ndërsa flisnin se a e kishin marrë rrogën.
n.e/NOA