English

Beqja: Vendi në krizë, ka vetëm rritje të papunësisë

Tiranë, 8 prill, NOA - Partia Socialiste i cilësoi sot deklaratat e kryeministrit dhe drejtuesve të institucioneve financiare, për rritje ekonomike në vend, si të pabaza. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja deklaroi në një konferencë për mediat se rritje në vend kanë patur vetëm çmimet dhe papunësia.

"Në Shqipëri rritje dyshifrore kanë pësuar listat në dyqane, papunësia, varfëria, dëshpërimi, kriminaliteti, vetëvrasjet e plagët sociale. Mrekullia ekonomike që po jeton familja në pushtet, nuk ka asnjë lidhje me realitetin e hidhur që jetojnë çdo ditë shqiptarët e shqiptaret", u shpreh Beqja.

Duke ju referuar të dhënave, sipas tij negative të ekonomisë në vend, Beqja ka theksuar se për këtë arsye "gjatë muajit prill e më pas do të protestohet kudo, pasi arsyet e protestës janë kudo".

Sipas tij kryeministri Berisha "në fillim vodhi zgjedhjet, për t'u vjedhur pastaj shqiptarëve punësimin, të ardhurat, shpresën".

Ai theksoi se ekonomia e vendit është kthyer në nivelet që ka qenë para një viti e gjysëm më parë, kur nuk kishte asnjë të dhënë pozitive.

m.xh/NOA

KOMENTE