English

Berisha-Krasniqi: Kosova, faktor paqeje e stabiliteti në rajon

Tiranë, 8 prill, NOA - Kryeministri Berisha priti sot në një takim kryetarin e parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, para të cilit ka vlerësuar se tashmë Kosova është shndërruar dhe po konsolidohet përditë në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Nga ana e tij, Krasniqi vlerësoi lart kontributin e Berishës dhe qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë në vazhdimësi Kosovës, si në procesin e njohjes së pavarësisë, ashtu edhe në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dobi të të mirës së të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre.

Në veçanti, kryeparlamentari Krasniqi shprehu mirënjohjen ndaj kryeministrit Berisha për kontributin dhe rolin e tij për realizimin e projektit të rrugës së kombit, e cila do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve të ngushta e të gjithanshme dhe integrimin kulturor, por edhe ekonomik të kombit.

Por në takim u vlerësua ecuria pozitive e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ajo është dhe mbetet e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për t'i konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin vëllazëror dhe me interes të ndërsjellë në fushën ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore dhe për heqjen e të gjitha barrierave qofshin këto të karakterit doganor, tatimor etj, duke e kthyer bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shqipërisë në shembull të marrëdhënieve të shkëlqyera të fqinjësisë dhe bashkëpunimit në rajon dhe duke e shndërruar faktorin shqiptar në element të rëndësishëm promovues për paqen, stabilitetin dhe miqësinë në mbarë rajonin e Europës Juglindore.

n.e/NOA

KOMENTE