English

Fatkeqësi ekstreme në familjen shqiptare, humb 3 fëmijët në tre incidente të njëpasnjëshme

Fatmir Doçi gjeti vdekjen në një qytezë të Sirakuzës në Itali. I ati kishte humbur edhe dy fëmijët e tjerë, në aksidente të ngjashme. Lexoni raportin e korrespondentes së Agjencisë NOA

Sirakuzë, 8 Prill NOA - Një fëmijë trevjeçar ka humbur jetën sot pasi një gur ra nga çatia e një godine në momentin fatal që po kalonte i vogli.

Ngjarja ndodhi në provincën Frankofonte të Sirakuzës në Itali, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.

Fëmija Fatmir Doçi gjendej duke luajtur në një banesë në qytezën Lentini në Frankofonte të Sirakuzës.

Në rrethana ende të paqarta mendohet se një gur ka rrëshkitur nga godina e vjetër pranë të cilës po luante dhe i ka rënë në kokë.

Klithma e djalit ka alarmuar nënën dhe të atin të cilët kanë rendur të shpëtojnë të birin.

Megjithë dërgimin e shpejtë në spital, fëmija humbi jetën pas disa minutash.

Në lidhje me ngjarjen e sotme, policia italiane tha se ka nisur hetimet dhe një çështje është hapur nga prokuroria rajonale e Sirakuzës për të sqaruar deri në fund rrethanat e tragjedisë.

Për familjen Doçi, ngjarja e sotme shton dhimbjen për tragjeditë që ka pësuar në familje. Ai tregon se në incidente të ngjashme ka humbur edhe dy fëmijët e tjerë që kishte dhe pohon se është shumë i trishtuar nga këto fatkeqësi të njëpasnjëshme.

Gjashtë vjet më parë, ai humbi Qamilin, djalin gjashtë vjeçar i cili kishte vdekur pasi ra nga një lartësi e ulët (kati i dytë) e një godine të braktisur afër shtëpisë ku banonin, ndërsa ishte duke luajtur.

Tragjedia e parë për familjen Doçi nuk u kapërdi lehtë. Por pas një viti ata sjellin në jetë djalin e tyre të dytë, Andrean.

Por edhe ai nuk i shpëtoi fatit të keq që nisi të ndjekë familjen që kishte emigruar prej dhjetë vjetësh në Itali.

Një vit më parë, familja Doçi humbi edhe Andrean pesë vjeçar, i cili gjeti vdekjen nga shtypja e një makine. Për më tepër, ata që e zbuluan fëmijën duke dhënë shpirt ishin prindërit të cilët u lemerisën kur dolën nga banesa dhe panë se pranë tyre në rrugë, gjendej i shtrirë përdhe Andrea pesë vjeçar.

Edhe kjo tragjedi shtoi shkatërrimin e familjes Doçi e cila gjeti forca për të bërë djalin e tretë, të cilit jo më kot ia vunë emrin Fatmir.

Por edhe vogëlushi i tretë duket se nuk e kishte fatin ashtu si dëshironin prindërit dhe ashtu si i vunë emrin. Për fat të keq, ai humbi jetën sot ashtu si dy vëllezërit e tjerë.

e.l/e.r/NOA

KOMENTE