Tiranë, 8 prill, NOA - Mazhoranca e sotme qëndron në të njëjtat pozicione absurde për bllokimin e procesit të plotë hetimor parlamentar, duke u ulur mbi kutitë e dyshuara, apo duke bërë tentativa qesharake për të ngritur komisione hetimore për të kontrolluar vetveten.
Kështu ka pohuar gjatë fjalës së tij mbajtur në seancën plenare, deputeti socialist Fatmir Toçi, sipas të cilit opozita e bëri hapin duke vendosur me Kuvendin një raport të kushtëzuar.
"Të bindur që e vërteta është në kutitë e votimit, beteja jonë 9-mujore solli ndërgjegjësimin mbarëpopullor për drejtësinë e kauzës, që nuk është vetëm kauza jonë, por e gjithë qytetarëve shqiptarë, të majtë e të djathtë, për transparencën e plotë të zgjedhjeve", tha deputeti socialist.
Duke shtuar më pas se kjo betejë solli ndërkombëtarizimin e problemit dhe impenjimin e institucioneve ndërkombëtare për zgjidhjen e tij nëpërmjet konsensusit dhe bisedimeve midis palëve, të gjitha këto në truallin e një krize të përgjithshme që është ulur këmbëkryq dhe ka vënë në vështirësi çdo sektor të vendit.
"Si deputet i qarkut të Vlorës, ju kujtoj pakënaqësitë në rritje dhe protestat e qytetarëve për mbrojtjen e votës së lirë; protestat e banorëve të Orikumit dhe të gjithë Bregut të Jugut, të cilëve po u rrëmbehet toka apo protestat e njerëzve që pushohen çdo ditë nga puna për shkak të bindjeve të tyre të lira e jokonformiste ndaj pushtetit; protestat e punëtorëve në autostradën Fier-Vlorë etj", përfundoi ai.
n.e/NOA