Tiranë, 8 prill, NOA - Një projekt 3 vjeçar me vlerë 2.7 milionë dollarë do të nisë të zbatohet për urbanizimin e zonave ku jetojnë pakicat rome. Bazuar në planin e madh të veprimit të "Dekadës së Përfshirjes së Romëve", ky program do të përmbajë projekte për infrastrukturën në zonat ku janë të përqendruar komuniteti rom.
Programi do të mundësoj regjistrimin e anëtarëve të këtij komuniteti, mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe format më të këqija të punës, sigurimin e arsimimit në mosha të hershme për fëmijët, promovimin e punësimit nëpërmjet ofrimit të kurseve profesionale, si dhe shumë projekte të tjera.
Ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili firmosi në emër të qeverisë shqiptare marrëveshjen me iniciuesit e projektit theksoi seriozitetin e punës për integrimin e romëve në shoqëri.
"Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si institucioni përgjegjës për monitorimin e Strategjisë Kombëtare "Për përmirësimin e kushteve të jetesës së Minoritetit Rom" dhe Planit të Veprimit të "Dekadës së Përfshirjes së Romëve", është angazhuar që problemet ekonomike dhe social-kulturore me të cilat përballen Romët, të trajtohen në kuadrin e politikave të saj sociale. Këto programe që po zbatohen apo pritet të fillojnë, si dhe ndërtimi i veprave infrastrukturore tregon se angazhimi i Qeverisë është serioz dhe konkret dhe objektivat e saj po mbështeten me të njëjtin seriozitet nga donatorët dhe organizatat partnere që veprojnë në vend", u shpreh Ksera.
Projekti do të zbatohet në rajonet me numrin më të madh të popullsisë rome, në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Durrës, i cili mbështet nga fondet e OKB dhe të Qeverisë Japoneze.
b.a/NOA