Romë, 8 Prill NOA Update - Dy shqiptarë kanë mbetur të vrarë dhe gruaja e njërit prej tyre mbeti e plagosur pasi u qëlluan nga një italian i cili akuzohet edhe se është anëtar i një bande kriminale siciliane.
Viktimat janë Kasem Mema, 32 vjeç dhe Gazment Peca, 30 vjeç, emigrantë të rregullt nga Shqipëria.
Autor i dyshuar i vrasjes është Nino Cherchi, një ish-i dënuar si anëtar i bandës sarde në Siçili, deklaroi policia italiane.
Hetimet e para nxjerrin si shkak për vrasjen e dyfishtë, konfliktin me italianin, një ish-kasap nga Orune, lokalitet i provincës Nuoro për çështje të pagesës së qerasë mujore në kohë.
Ngjarja ka ndodhur sot në mesditë, në rrugën "Austria" në lokalitetin Olbia, kur 69-vjeçari Nino Cherchi ka hyrë në banesën ku jetonin emigrantët dhe ka hapur zjarr me pistoletë ndaj tyre duke vrarë Memën dhe Pecën, në prani të 31-vjeçares Ariana Zelo dhe bebes së saj pesë muajsh.
Nga shtatë plumbat e qëlluara ka marrë plagë dhe Ariana Zelo 31 vjeçare, mikja e Pecës, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.
e.r/l.n/NOA