English

Meta takon Krasniqin: Vizat Kosovës do t'i hiqen shumë shpejt

Tiranë, 8 Prill NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti pasditen e sotme Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi. Takimi u përqendrua kryesisht në zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon, sfidat me të cilat përballet shteti i ri dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Temë diskutimi ishin gjithashtu edhe bashkëpunimi në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për integrimin evropian e euroatlantik dhe bashkëpunimi rajonal.

Meta vlerësoi progresin e arritur në Kosovë që prej shpalljes së pavarësisë, duke vënë theksin në ndërtimin e shtetit ligjor, të institucioneve demokratike e funksionuese në të gjithë territorin e Kosovës.

Gjithashtu ai vlerësoi kontributin e Kuvendit të Kosovës për integrimin e të gjitha komuniteteve pakicë, përfshi atë serb, në institucionet e Kosovës.

Më tej, z. Meta shprehu bindjen se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë ndaj sovranitetit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj njohjes së mëtejshme të shtetit të ri.

Duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, z. Meta e siguroi z. Krasniqi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë edhe në të ardhmen përfshirjen dhe përfaqësimin e Kosovës në të gjitha nismat shumëpalëshe, në kuadër rajonal dhe më gjerë, si dhe proceset e saj integruese në strukturat euroatlantike.

Z. Krasniqi, nga ana e tij, pasi e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë, e informoi z. Meta për zhvillimet në Kosovë, ndryshimet në qeveri dhe mbështetjen nga Kuvendi të Strategjisë për Veriun, nga e cila do të përfitojnë të gjithë banorët e tij.

Me këtë rast, z. Krasniqi vlerësoi edhe kontributin e Shqipërisë në përmirësimin e kushteve të jetesës në komunat e sapokrijuara më shumicë nga komunitetet pakicë në Kosovë, duke evidentuar mbështetjen financiare të disa projekteve në komunën me shumicë serbe të Graçanicës.

Pas takimit, duke folur për mediat, z. Meta ka vlerësuar bashkëpunimin midis dy parlamenteve, i cili tha se ka qenë tepër intensiv dhe një inkurajim për të dy qeveritë, në mënyrë që marrëdhëniet e gjithanshme midis Shqipërisë dhe Kosovës të zhvillohen në mënyrë sa më të frytshme.

"Me këtë rast unë i kam shprehur z. Krasniqi edhe vlerësimet më të mira për të gjithë përpjekjet që bën Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Kosovës, Qeveria e Kosovës për të forcuar institucionet e reja të këtij shteti të ri dhe demokratik dhe për t'i përafruar ato drejt standardeve evropiane, për të forcuar bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës në kuadër të njohjeve të reja për shtetin e ri të Kosovës dhe njëkohësisht vlerësimin për atë politikë integruese që synon shteti i Kosovës për sa i takon pakicave etnike dhe në veçanti ndaj minoritetit serb", - tha Meta.

Kjo sipas tij, sepse një Kosovë evropiane është e bazuar fuqimisht mbi një bashkëjetesë ndëretnike e cila pa diskutim që me këtë filozofi të drejtuesve të shtetit të ri të Kosovës do të jetë e suksesshme dhe do të garantojë një perspektivë të shpejtë evropiane për Kosovën.

Po kështu, edhe në kuadër të liberalizimit të vizave, duke shprehur bindjen se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina brenda këtij viti do ta fitojnë atë sfidë të rëndësishme që garanton liberalizimin e vizave me BE, Meta tha se "shumë shpejt këtë gjë do ta fitojë, jam i bindur, edhe Kosova në mënyrë që të gjithë qytetarët e këtij rajoni të jenë qytetarë të lirë, të jenë qytetarë të cilët prekin realitetin evropian dhe shumë shpejt vendet tona të jenë edhe anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian".

Kurse z Jakup Krasniqi tha se Kosova në gjithë angazhimin e saj politik gjatë gjithë këtyre viteve ka treguar një tolerancë dhe një gatishmëri për të ndërtuar, me të gjitha vendet e rajonit, marrëdhënie të mira, miqësore, në frymën e vlerave të Bashkimit Evropian.

"Në këtë rrafsh, siguroj që në të ardhmen, por edhe tani, duke punuar për integrimet në fusha të caktuara brenda kombit shqiptar, sigurisht që e ardhmja do të tregojë dhe do të nxjerrë në shesh suksese", - tha Krasniqi.

e.n/NOA

KOMENTE