Preshevë, 9 Prill NOA - Presidenti serb Boris Tadiç viziton Luginën e Preshevës, pa u mbushur as një muaj nga vizita e suksesshme që bëri atje Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtem shqiptar Ilir Meta.
Presidenti i Serbisë Tadiç, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të formojnë Këshillin e tyre Kombëtar, e në këtë mënyrë, të ndërmarrin vetë përgjegjësinë për zhvillimin e shtetit në të cilin jetojnë.
''Dëshiroj t'i inkurajoj shqiptarët tanë për të marrë pjesë në institucionet e tyre kombëtare në Serbi, për shkak se kjo (Serbia) është vendi dhe shtëpia e tyre'', ka thënë Presidenti Tadiç, gjatë bisedës së sipërpërmendur. Gjithashtu, Tadiç premtoi qe përveç Fakultetit të Medvegjes të hapet Fakulteti i gjuhës shqipe edhe ne Presheve dhe Bujanovc.
Në këtë mënyrë, Presidenti Tadiç përçon në Luginën e Preshevës të njëjtin mesazh që coi atje edhe z. Meta për shqiptarët e Serbisë, që një perspektivë e re po hapet edhe për Luginën e Preshevës, ashtu siç u hap për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd.
Mediat serbe Tanjug dhe B92 shkruajnë se në kuadër të një vizite në qytetin e Medvegjës, Presidenti i Serbisë, B. Tadic, është takuar dhe ka zhvilluar bisedime me studentë të Fakultetit Ekonomik dhe atij Juridik në këtë qytet (Degë e Universitetit të Nishit), si dhe ka marrë pjesë në hapjen e minierës së arit, plumbit dhe të zinkut, në vendin e quajtur ''Lece'', në afersi të Medvegjës. Te pranishem ishin edhe studente shqiptare.
Kjo vizite ndodh ndërkohë që Zv. Sekretari i Shtetit te SHBA Steinberg ndodhet ne Beograd.
Gjithashtu, gjatë takimit me komunitetin shqiptar që jeton atje, Presidenti serb Boris Tadiç deklaroi se ishte i shqetësuar për diferencat e mëdha ekonomike ndërmjet veriut dhe jugut të vendit.
Tadiç mori pjesë edhe në nisjen e punimeve të një miniere të re zinku në Medvegjë, ku ai u shpreh se Serbia jugore ka potencialin për të zhvilluar nëse do të investohet në sektorin e minierave.
a.b/NOA