Preshevë, 8 prill, NOA - Presidenti serb, Boris Tadiç, viziton Luginën e Preshevës pa u mbushur as edhe një muaj nga vizita e suksesshme që bëri atje zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta.
Presidenti i Serbisë, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të formojnë Këshillin e tyre Kombëtar, e në këtë mënyrë, të ndërmarrin vetë përgjegjësinë për zhvillimin e shtetit në të cilin jetojnë.
''Dëshiroj t'i inkurajoj shqiptarët tanë për të marrë pjesë në institucionet e tyre kombëtare në Serbi, për shkak se ky është vendi dhe shtëpia e tyre'', ka thënë presidenti Tadiç, gjatë bisedës së sipërpërmendur.
Gjithashtu, ai premtoi që përveç fakultetit të Medvegjës të hapet fakulteti i gjuhës shqipe edhe në Preshevë dhe Bujanovc.
Në këtë mënyrë, presidenti Tadiç përçon në Luginën e Preshevës të njëjtin mesazh që çoi atje edhe Meta për shqiptarët e Serbisë, që një perspektivë e re po hapet edhe për Luginën e Preshevës, ashtu siç u hap për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd.
Gjithashtu, gjatë takimit me komunitetin shqiptar që jeton atje, presidenti serb Boris Tadiç deklaroi se ishte i shqetësuar për diferencat e mëdha ekonomike ndërmjet veriut dhe jugut të vendit.
n.e/NOA