English

Prifti: Investimet e huaja, jashtë problemeve të pronësisë

Tiranë, 8 prill, NOA - Projektligji i ri i qeverisë për investimet e huaja, garanton që nuk do të ketë më probleme të pronësisë në këto investime.

Kështu e ka argumentuar projektin e ri, ministri i Energjetikës Dritan Prifti, sipas të cilit "përbën një hap shumë të rëndësishëm që bën qeveria për mbrojtjen e investimeve të huaja në vend".

"Projektligji "Për disa shtesa në ligjin numër 7764 datë 2.11.'93 për investimet e huaja", parashikon dhënien një mbrojtje të posaçme shtetërore disa kategorive investitorësh të huaj të cilët gjatë procesit të investimit hasin në problematika me titujt e pronësisë, me pretendimet nga palë të treta për titujt e pronësisë", sqaroi Prifti.

Më tej, tha se kjo u bë pasi janë vënë re raste të shumta vitet e fundit ku fillon një investim i huaj i rëndësishëm dhe pastaj pronarë legjitimë ose jo legjitimë fillojnë procedura gjyqësore për të ndaluar investimin për të përfituar financiarisht prej investitorëve pra për të krijuar probleme të cilat në shumë raste kanë çuar në anulim të investimeve të huaja.

Prandaj, sipas tij, në diskutime të vazhdueshme që janë bërë me investitorë të huaj në vend, ka rezultuar shumë i nevojshëm fakti që qeveria të ofrojë një mbrojtje të posaçme shtetërore për investitorë të huaj.

"Në këtë rast ne eliminojmë dhe shumë abuzues të cilët futen për të bërë biznes me titujt e pronësisë", shpjegoi ministri.

n.e/NOA

KOMENTE