Nju Jork, 8 prill, NOA - Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka tërhequr vërejtjen për mundësinë e rritjes së tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës, nëse strategjia nuk zbatohet në mënyrë transparente dhe në dialog me komunitetet.
Një fakt të tillë ai e ka deklaruar në raportin e tij të rregullt për Kosovën, brenda të cilit e ka cilësuar situatën në veri si të ndjeshme dhe u ka bërë thirrje autoriteteve të Prishtinës që problemet në këtë pjesë të vendit t'i adresojnë në paqe dhe me dialog, duke pasur parasysh rrethanat specifike atje dhe shqetësimet e komuniteteve.
Ky raport i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit në muajin maj dhe përfshin të dhëna për periudhën dhjetor-mars, gjatë së cilës Zyra Civile Ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës kanë hartuar një strategji me të cilën synohet shuarja e strukturave paralele serbe në veri dhe vendosja e autoritetit të Prishtinës atje.
"Jam i shqetësuar për mundësinë e rritjes së tensioneve që do të shkaktoheshin në veri të Kosovës, nëse strategjia për veriun nuk do të zbatohet nga Prishtina në kushtet e transparencës dhe dialogut me komunitetin vendas dhe aktorët tjerë relevantë", është shprehur kreu i OKB-së.
Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar ky është një mesazh mbështetës për Kosovën, për strategjinë dhe një mesazh që përputhe plotësisht me vizionin dhe qëllimin tonë për të komunikuar dhe integruar të gjitha komunitetet.
n.e/NOA