English

Sekuestrohen 60 armë pa leje, ndiqen 59 persona

Tiranë, 8 prill, NOA - Mëse 60 armë pa leje, ndër të cilat 16 automatikë, 29 pistoleta, 6 pushkë, 4 çifte dhe 5 thika, janë sekuestruar nga policia vetëm brenda 3 javëve në kuadrin e një operacioni për kapjen e personave që mbajnë armë pa leje

Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA duke konfirmuar se janë proceduar penalisht 59 persona, nga të cilët 52 të arrestuar në flagrancë, 5 që ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim.

Po ashtu, mësohet se këtyre personave u janë sekuestruar dhe sasi të konsiderueshme municioni si 27 kallëpe tritol, rreth 2000 fishekë të llojeve të ndryshme, 20 copë kapsolla detonatorë, 3 kuti barut, 8 granata, 15 metër fitil zjarr-përcjellës etj. Për të gjitha armët e kapura do të kryhen ekspertimet balistike, me qëllim verifikimin nëse këto armë zjarri janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Ndërsa forcat e policisë garantojnë më tej se në vijim do të organizojnë punën dhe shërbimet, për ushtrimin e kontrolleve dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë atyre personave që mbajnë armë pa leje, me qëllim rritjen e mëtejshme të standardeve të sigurisë për qytetarët.

n.e/NOA

KOMENTE