Pragë, 8 prill, NOA - Presidenti Barak Obama, së bashku me homologun e tij rus, Dmitri Medvedev, do të nënshkruajë sot në Pragë traktatin e paralajmëruar mbi pakësimin e armëve bërthamore.
Bëhet me dijeni se ky pakt i ri parashikon shkurtimin e arsenaleve të dyja palëve deri në masën 30 përqind, duke i lënë secilës nga rreth 1500 armë bërthamore strategjike.
Në këtë mënyrë, marrëveshja e re zëvendëson traktatin e vitit 1991 për Pakësimin e Armëve Bërthamore (START), të cilit i ka kaluar afati.
Nga ana e tij, presidenti Obama e ka quajtur traktatin marrëveshjen më të gjerë për kontrollin e armëve në 20 vjet, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për fëmijët e tyre.
Kurse Medvedev tha se ky traktat do të përcaktojë procesin e çarmatimit bërthamor global për shumë vite në të ardhmen.
n.e/NOA