English

Skandal në Maqedoni, shërbimi sekret me burgje alternative

Shkup, 9 Prill NOA/INA - Banesat e fshehta dhe shtëpitë e boshatisura nëpër lokacione të ndryshme në Maqedoni dyshohet se shfrytëzohen nga shërbimi sekret në Maqedoni, për biseda informative dhe përpunim të të dyshuarve. Këtë fakt e konfirmon kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik Shqiptar (SHBPSH), Shpëtim Pollozhani. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski mohon këtë çështje, që sipas tij bazohet vetëm në spekulime mediale Në Maqedoni ekzistojnë pista dyshimi për ekzistimin e banesave private dhe shtëpive që shfrytëzohen nga ana e Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit (DSK) të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky realitet pranohet nga Shoqata e të Burgosurve Politik Shqiptar në Maqedoni.

"Ne kemi informata si shoqatë prej vetë njerëzve apo viktimave që pas burgosjeve janë shëtitur nëpër vila, banesa dhe kazerma ushtarake, ku atje janë marrë në pyetje dhe janë përpunuar për qëllimet e shërbimit sekret. Rastet janë të ndryshme dhe së fundi kemi rastin e Sopotit, ku njëri nga të akuzuarit ishte mbajtur me ditë të tëra nëpër lokacione të ndryshme private në Maqedoninë Lindore, nëpër shtëpi private. Kjo dukuri është e pranishme që nga fillimi i tranzicionit", ka theksuar kryetari i shoqatës, Shpëtim Pollozhani. Të arrestuarit kryesisht merren nga shtëpitë e tyre, zhduken për disa ditë nëpër lokacionet sekrete, ku merren në pyetje, ndërsa më pas ata pas disa ditëve lejojnë që klienti i tyre të paraqitet para gjykatësit hetues, edhe pse procedurat ligjore janë që të akuzuarit të paraqiten para gjykatës brenda afatit 24 orësh.

Pollozhani thekson se lokacione të dyshimta ka në Manastir, Vodno, Mavrovë, ku shfrytëzohen vila dhe lokalitete të ndryshme. SHBPSHM vlerëson se kjo situatë mbetet mister dhe një sekret i ndjeshëm për shqiptarët, pasi që ata nuk janë të përfaqësuar në nivelet e larta të institucioneve dhe shërbimeve sekrete në Maqedoni.

MPB mohon çdo gjë Incidenti që ndodhi disa javë më parë në një banesë në kompleksin "Mavrovka" në Shkup dhe që shfrytëzohej siç thuhej nga shërbimi sekret, ka zgjuar interesin për ekzistimin e këtyre lokacioneve. Lidhur me këtë incident ku rezultoi i plagosur një shtetas i Kosovës, identiteti i të cilit nuk publikohet, kanë lindur dyshimet e tilla se në të vërtetë në Maqedoni ka lokacione alternative policore.

Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski ka mohuar çdo gjë lidhur me këto pohimet që dalin nëpër media se gjoja sipas tij në Maqedoni shfrytëzohen lokacione sekrete. "Nuk ka të vërtetë asgjë rreth kësaj dhe të gjitha ato që thuhen janë spekulime", ka qenë përgjigja e Kotevskit për "24 orë", i cili nuk ka publikuar identitetin e kosovarit të plagosur në afërsi të lokacionit "Mavrovasja". Ai ka nënvizuar se i plagosuri nuk ka dashur të bashkëpunojë me policinë dhe nuk ka pohuar se nga kush ishte plagosur.

Sipas një burimi të një televizioni maqedonas, policët derisa po kryenin bisedën informative me shtetasin e Kosovës dhe po rrotullonin pistoletat, në një moment ka shkrepur arma dhe ka goditur kosovarin e arrestuar. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhevat Buçi ka theksuar se nuk është në kompetencë të tij të komentojë informacione që nuk janë të verifikuara dhe që janë pjesë e spekulimeve.

Ekspertët pohojnë burgjet sekrete Edhe ekspertët dhe avokatët pohojnë se në Maqedoni ekzistojnë burgje apo dhoma alternative që shfrytëzohen për marrje në pyetje të personave të dyshuar nga ana e pjesëtarëve të DSK-së. Osman Kadriu, ish-avokat dhe ekspertë për çështje juridike pranon faktin se ka burgje sekrete alternative.

"Prej rastit që ndodhi para tre viteve, ku një banor me shtetësi të Gjermanisë, El Masri ishte keqtrajtuar dhe mbahej i mbyllur në një hotel dhe shtëpi private në Shkup dhe më pas iu dorëzua autoriteteve të shërbimeve sekrete amerikane. Veprimi i shërbimeve sekrete pa dyshim që ka lidhje edhe me burgjet sekrete por me vetë faktin se termi shërbim sekret edhe burgje sekrete është sekret, për opinionin publik të panjohura dhe është shumë e vështirë që të dalin të dhëna konkrete me numër dhe në emër dhe mbiemër", vlerëson Kadriu, i cili gjatë periudhës në cilësinë e avokatit mbrojtës është njohur me raste të tilla, kur MPB dhe shërbimet e saj nuk kanë respektuar afatet e paraburgimit të qytetarëve të arrestuar.

Një numër i madh i aktivistëve dhe veprimtarëve shqiptarë kanë pësuar trajtime të tilla. Edhe gjatë konfliktit të vitit 2001, dhjetëra shqiptarë u mbajtën nëpër lokacione alternative, në mesin e të cilëve tanimë ka edhe të zhdukur. Rasti i "Vreshtave të Rashtakut", "Sopoti" dhe shumë raste të tjera konfirmohen se pjesëtarët e shërbimit sekret i mbanin të arrestuar nëpër lokacione alternative personat e arrestuar dhe të dyshuar.

Deri tani asgjë nuk është konfirmuar se në emër të kujt mbahen këto lokalitete, kush qëndron pas tyre dhe a janë të evidentuara për mirëmbajtje në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

KOMENTE