English

Taulant Balla: Qeveria po vjedh gjithçka

Tiranë, 8 prill, NOA - "Për fat të keq, në Shqipëri hajdutllëku është legalizuar si profesion, ndërsa kryehajduti i thotë vetes Kavalier dhe sot kemi një qeveri që vjedh gjithçka".

Me këto fjalë është drejtuar gjatë seancës së sotme plenare, deputeti socialist Taulant Balla, sipas të cilit, më 30 prill opozita do t'i hapë kutitë "për të nxjerrë në dritë jo vetëm mekanizmin e vjedhjes së votave, por edhe për të çliruar Shqipërinë nga skllavëria e keqqeverisjes dhe për të hapur një herë e mirë rrugën e mirëqenies".

"Kutitë do të hapen më 30 prill, jo vetëm për të çmontuar sistemin mafioz të familjes, që pushtetin e do për të mbrojtur e shpëlarë paratë e pista të korrupsionit.

Por, edhe për të shpëtuar qindra mijëra familje shqiptare nga varfëria, papunësia apo mungesa e kujdesit shëndetësor", tha Balla më tej gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Sipas tij, ka ardhur koha që populli të rivendosë në vend parametrat e demokracisë.

"Qytetarët shqiptarë do të ushtrojnë më 30 prill të drejtën dhe detyrimin për të rimarrë në dorë fatet e tyre, sepse fatet e vendit janë marrë peng nga një pushtet i dalë jashtë vullnetit të popullit", tha ai.

n.e/NOA

KOMENTE