English

Topi: Mbështetje ndërkombëtare për Kosovën

Tiranë, 8 prill, NOA - Shqipëria do të mbështesë njohjen e Pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Garancia për lobimin e Tiranës zyrtare i është dhënë sot Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi gjatë takimit të zhvilluar me Presidentin Bamir Topi.

Kreu i shtetit ka theksuar se "Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme", dhe ka garantuar në impenjimin e institucioneve shqiptare për konsolidimin e Kosovës si vend i pavarur.

Topi është ndalur dhe në marrëdhëniet mes pakicave në Kosovë, ku ka inkurajuar frymën e tolerancës dhe të vullnetit për bashkëpunim mes tyre. Ai ka theksuar se marrëdhëniet e mira janë të nevojshme për "ndërtimin dhe funksionimin sa më të mirë të një shteti demokratik dhe multietnik me institucione të konsoliduara".

Në takimin e dy personaliteteve është vlerësuar dhe bashkëpunimi në fushën ekonomike, të arsimit, shëndetësisë dhe kulturës. Presidenti Topi ka nënvizuar vullnetin për rritjen e këmbimeve tregtare midis dy vendeve që do të kenë mundësi më të mëdha pasi të përfundohet plotësisht dhe rruga nga Durrësi në Morinë dhe më pas deri në Prishtinë.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi është shprehur se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të shtetit të ri dhe njohjes në arenën ndërkombëtare.

m.xh/NOA

KOMENTE