Tiranë, 9 prill, NOA /Milena Selimi - Ka qenë një lajm i shumëpritur por është e vërtetë. Aktori dhe regjisori i mirënjohur, Albert Verria, pas një ndërprerje shumë të gjatë në skenën shqiptare rikthehet në skenë me veprën "Mashtruesi Cece" të Pirandelos.
Shfaqja do të ketë premierën e saj ditën e shtunë në teatrin "Petro Marko" të qytetit të Vlorës.
Sipas Verrisë, aktorët e përzgjedhur për këtë shfaqje janë Jorgaq Tushe, Ilirian Ali, Parodisti, Afrim Agalliu si dhe Ivana Metaj.
Duke cituar autorin, që ka folur për medien e përditshme në këtë shfaqje do të mbizotërojnë jo vetëm notat e humorit por edhe nota muzikore nga këngëtarë dhe kompozitorë italian, të cilat i janë përshtatur më së miri kësaj shfaqje.
Albert Verria është një nga mitet e artit shqiptar dhe është bërë i njohur për galerinë e madhe të personazheve që ka realizuar në vite.
Për sa i përket shkrimtarit, Albert Vërria ka cituar një shprehje të personalitetit të njohur italian me origjinë arbëreshe, Antonio Gramshi i cili thotë: "Pjesët e Pirandellos janë bomba dore që shpërthejnë në mendjen e spektatorëve dhe shkaktojnë përmbysje ndjenjash dhe mendimesh".
Regjisori i cili është bërë i njohur me një nga filmat më të suksesshëm shqiptar "Kapedani", i mungonte skenës shqiptare që prej një kohe të gjatë.
Duhet thënë se për këtë rikthim ai ka falenderuar Bashkinë e Vlorës si dhe drejtuesit e kinoteatrit "Petro Marko".
m.s/NOA