English

Ambasadorët shqiptarë po zëvendësohen me maqedonas

Shkup, 9 prill, NOA - Ambasadorët e Maqedonisë në tetë vende, ku më parë shërbenin diplomatë shqiptarë, tashmë po zëvendësohen me diplomatë maqedonas. Bëhet fjalë përambasadorët në Katar, Bullgari, Kinë, Kroaci, Vatikan, Holandë, Vjenë, Bruksel.

Mediat shqiptare në Maqedoni raportojnë se muajt e ardhshëm kjo gjë do të bëhet dhe me misionin diplomatik në Bashkimin Europia. Në BE, në vend të ambasadorit Blerim Reka do të emërohet një maqedonas, ndërsa konsiderohet e humbur edhe përfaqësia diplomatike pranë OSBE-së në Vjenë.

Gjithashtu së shpejti edhe vendi i ambasadorit në Suedi, Agon Demjaha do të zëvendësohet me një diplomat maqedonas, Kire Ilioski.

Të gjitha këto ambasada janë zëvendësuar me kuadro maqedonas, duke përfshirë edhe një diplomate turke, e cila do të marrë udhëheqjen e misionit diplomatik në Turqi.

Me ndryshimet e fundit, ambasadorët shqiptarë me mandat më të gjatë do të ngelen vetëm në Zvicër, Ramadan Nazifi, Agron Buxhaku në Francë, Rami Rexhepi në Bosnjë-Hercegovinë, Fatmir Xheladini në Poloni, Azis Pollozhani në misionin pranë OKB-së në Gjenevë, Asaf Ademi në Danimarkë.

Maqedonia nëpër botë është e përfaqësuar me rreth 60 misione diplomatike, kryesisht në nivel të ambasadave, konsullatave, zyrave dhe misioneve të përhershme pranë organizatave ndërkombëtare. Në kuadër të këtyre misioneve, përfaqësimi i shqiptarëve në diplomaci është me rreth tetë ambasadorë apo konsuj, që nënkupton se përfaqësimi shkon vetëm mbi 10 për qind.

NOA/INA

KOMENTE