English

Analiza e Policisë, Burgaj: Është rritur zbulimi i krimeve

Tiranë, 9 prill, NOA - Gjatë tre muajve të fundit policia ka arritur të rrisë numrin e krimeve të zbuluara dhe të parandalimit të tyre. Ky është vlerësimi që ka dhënë sot në analizën tre mujore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. "Vihet re që ka një rritje të rezultateve dhe zbulueshmëri të kënaqshme të veprave penale të krimit të organizuar, veçanërisht në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Po ashtu ka rritje të evidentimit në fushën e krimit ekonomik dhe financiar", ka theksuar Burgaj gjatë fjalës së tij.

Në analizën e periudhës janar-mars, ishin të pranishëm drejtorët e drejtorive të policive në qarqe. Burgaj vlerësoi se puna e përgjithshme e strukturave të policive në qarqe, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është më pozitive.

Në luftën kundër krimit të organizuar arritje u vunë re në Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Kukës dhe Berat.

Ndërkohë, puna e policisë së qarkut Vlorë, është vlerësuar pozitive në evidentimin e veprave penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Për Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, Burgaj theksoi se ka tregues pozitivë në rritjen e rezultateve për evidentimin e krimeve kundër pronës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj ka kërkuar dhe marrjen e masave në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike nga të gjitha drejtoritë e qarqeve.

m.xh/NOA

KOMENTE