Tiranë, 9 Prill, NOA - Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sot firmosjen e traktatit të ri për kufizimin e armëve bërthamore që u firmos dje në Pragë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.
"Kryeministri Berisha përshëndet firmosjen e traktat të ri, për kufizimin me 30 % të armëve bërthamore, si një arritje historike, në çështjen e armëve të shfarosjes në masë, e cila përbën dhe kërcënimin më serioz, për paqen, stabilitetin dhe qytetërimin botëror", thuhet në deklaratën për media të kreut të qeverisë.
Kryeministri Berisha vlerëson se firmosja e kësaj marrëveshje, nga presidenti i SHBA-ve Barak Obama dhe Presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev është një kthesë thelbësore që dëshmon vullnetin e padiskutueshëm të SHBA-ve dhe të Rusisë, "për të ecur drejt qëllimit final, të një bote, pa armë nukleare".
m.xh/NOA