Tiranë, 9 prill, NOA - Efektivat e policisë duhet të bëjnë të paktën pesë herë në vit trajnime për të arritur standardet bashkëkohore për forcat e rendit. Deklarata mbi efiçensën e forcave të policisë është bërë sot nga Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch.
Përfaqësuesi i OSBE-së ka qenë i pranishëm në ceremoninë e mbylljes së trajnimit për praktikat mbrojtëse në Qendrën e Zhvillimit të Policisë.
Duke u ndalur në rolin që ka stërvitja për policinë, Bosch u shpreh se "ne shpresojmë që çdo oficer policie të jetë në gjendje të ndjekë trajnime sistematike rifreskuese, të paktën pesë herë në vit, në komisariatet e tyre përkatëse".
Ai ka vlerësuar rrezikshmërinë e punës së policisë dhe për të shmangur incidentet ka sugjeruar përgatitjen e mëtejshme të tyre.
"Për të siguruar një mbyllje të suksesshme të të gjitha incidenteve dhe për të garantuar sigurinë e gjithë oficerëve të policisë është shumë e rëndësishme që të gjithë oficerët e policisë të jenë të përgatitur dhe të trajnuar për teknikat më të fundit të mbrojtjes dhe arrestimit", u shpreh Bosch.
Bosch ka theksuar se OSBE-ja do të vijojë të jap kontributin e saj për të rritur nivelin e policisë, si dhe ka falënderuar drejtuesit e Policisë së Shtetit për angazhimin.
m.xh/NOA