English

Defektet gjenetike, USAID-QSUT, projekt për të dhënat

Tiranë, 9 prill, NOA - Problemet gjenetike, apo siç njihen në gjuhën shkencore imunodeficenca primare do të kenë zyrtarisht statistikat e tyre në lidhje me rastet e evidentuara në Shqipëri.

Financuesi kryesor në sistemin shëndetësor USAID, pas përfaqësimit në projektet për infrastrukturën shëndetësore, po fokusohet në krijimin e data base për krijimin e regjistrit të parë të të dhënave në Shqipëri i cili do të lehtësojë punën e pediatërve shqiptarë në lidhje me këtë sëmundje, jo shumë të njohur në vendin tonë.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka vlerësuar mbështetjen e USAID në ndihmë të profesionistëve të shëndetit, duke theksuar se ka ardhur koha të sistemohen shifrat që raportohen nga shoqatat e që shpeshherë nuk kanë qenë reale.

"Sistemi ynë shëndetësor tashmë do të ketë të dhëna të sakta në lidhje me imunodeficencën primare pa qenë nevoja që ti referohemi shifrave që raportojnë shoqatat e që shpesh herë nuk janë reale. Njëkohësisht dua të vlerësoj mbështetjen e USAID në përmirësimin e cilësisë së shërbimit shëndetësor", u shpreh ministri Vasili.

Ndërsa përfaqësuesja e USAID, doktoreshë Zhaneta Shatri tha se bashkëpunimi me institucionet shëndetësore do vazhdojë dhe në të ardhmen.

Imunodeficenca primare ose çrregullimet e sistemi imunitar me bazë gjenetike sjellin shpesh herë invaliditet tek fëmijët por shpesh herë ky çrregullim nuk justifikohet me arsyen e vërtet që është baza gjenetike. Për këtë arsye, mjekët e huaj, profesorë të njohur të kësaj fushe do të bashkëpunojnë me mjekët tanë pediatër në fushën e kërkimit shkencor. Në vendin tonë numërohen gjithsej 5 raste me imunodeficencë primare por mendohet që numri të jetë më i madh.

b.a/NOA

KOMENTE