English

Infermierët, me dokument themeltar në xhep, UISH publikon botimin

Tiranë, 9 prill, NOA - Në kuadrin e zbatimit të strategjisë 2010 me moton "Viti 2010, viti i Infermierisë", Urdhëri i Infermierit të Shqipërisë informon se ka arritur të përmbushë njërën nga pikat e rëndësishme të saj.

Bëhet fjalë për botimin e dokumentit themeltar të infermierëve, i cili përmban të përfshira brenda tij, Ligjin e Urdhërit të Infermierit; Statutin e Urdhërit të Infermierit, Kodin Etik-Deontologjik si dhe dokumenta të tjera të nevojshme për punën e përditshme të infermierëve.

Në lidhje me publikimin e këtij botimi, Presidenti i Urdhërit të Infermierit, Sabri Skënderi bën me dijeni se ai ka funksion informues, por edhe ndërgjegjësues në të njëjtën kohë për gati 13 mijë infermierë të cilët punojnë në rang vendi, të cilët njihen në një libër xhepi të vetëm, me të gjitha pikat e kuadrit ligjor të cilit i përket profesioni i tyre.

Për të qenë të sensibilizuar në këtë mënyrë jo vetëm me detyrimet, por edhe me të drejtat që përfshin në vetvete, ushtrimi i profesionit të infermierit.

"Njohja dhe zbatimi me korrektësi i këtyre dokumenteve nga të gjithë profesionistët e kujdesit infermieror, do të sjellë përmirësimin e sjelljeve etiko-profesionale me pacientët dhe do të çojë në rritjen e standardeve të tyre", citon Skënderi ndër të tjera.

Nga ana tjetër, edhe vetë Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, me anë të një urimi të veçantë e ka përgëzuar daljen e këtij dokumenti themeltar.

"Ky dokument, është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm se realizohet për herë të parë, por edhe se ai do t'u shërbejë të gjithë profesionistëve të kujdesit, për të përmirësuar punën e tyre dhe për të arritur cilësinë e kujdeseve dhe për sjellje etiko-profesionale sa më të mira me pacientët", ka cituar ai në këtë mesazh.

Sipas tij, "Ligji për Urdhërin e Infermierit dhe Kodi Etik-Deontologjik i tij janë pjesë dhe arritje e reformës së sistemit shëndetësor", prandaj ka kërkuar respektimin dhe zbatimin me korrektesë të këtyre dokumenteve nga të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

"Reformimi i sistemit shëndetësor është një nga prioritetet e qeverisjes sonë dhe ky reformim do të përfshijë të gjitha fushat e kujdesit dhe ajo që është kryesoja, kujdeset infermierore, si pjesë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor", pohon ndër të tjera në mesazhin drejtuar infermierëve me rastin e këtij botimi, ministri Vasili.

n.e/NOA

KOMENTE