Koshare, 9 prill, NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në ceremoninë e kushtuar 11 vjetorit të Betejës së Koshares, e ka vlerësuar këtë ngjarje si krenarinë historike të Kosovës. Ai u shpreh se ushtria e djemve dhe vajzave me 9 prill 1999 tregoi trimëri të pashoqe. Sejdiu shtoi se ndihej "krenar që kujtimi për një nga betejat më të lavdishme përkon edhe me ditën e Kushtetutës".
Në ceremoninë e titulluar "Ditët e Shqipes", Sejdiu pohoi se historia nuk është vetëm e kaluara, por duhet menduar dhe për të ardhmen. Ai vlerësoi dhe rolin e figurave historike gjatë luftës.
"Nga këtu i përkulemi mundit dhe sakrificës së ish presidentit historik Ibrahim Rugova dhe komandantit legjendar Adem Jashari", tha Sejdiu.
Presidenti i Kosovës tha se çdo betejë e madhe që shënohet në historinë e popujve, ka dhe prijësit dhe komandantët e saj, duke kujtuar në këtë mënyrë emrat e drejtuesve të UÇK-së në këtë betejë Sali Çekaj dhe Agim Ramadani.
m.xh/NOA