English

Sekuestrohen 50 kg drogë, në kërkim autorët

Gjirokastër, 9 prill, NOA - Rreth 50 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë janë sekuestruar orët e para të mëngjesit të sotëm, sasi kjo e cila vinte nga Lazarati në drejtim të malit Bureto, me destinacion Greqinë.

Lajmi bëhet me dijeni nga forcat e policisë së Gjirokastrës, sipas të cilës sasaie drogës gjendej në dy çanta dhe po transportohej në krahë nga dy persona, tashmë të shpallur në kërkim, të cilët ishin në fushën e Dropullit.

Më pas, ata për të shmangur policinë, kishin lëvizur rrëzë kodrës së fshatit Derviçan dhe më pas ishin futur në fushën përballë Goranxisë, për të lëvizur në drejtim të fshatit Bulo e më tej, në drejtim të malit Bureto.

Dhe sapo kanë konstatuar se po i ndiqte policia, i kanë fshehur çantat në një bunker në fushë përballë fshatit Goranxi e janë larguar me vrap duke përfituar edhe nga errësira.

Ndërkaq, forcat e policisë të ndihmuara edhe nga grupet e ndërhyrjes së shpejtë kanë rrethuar zonën nga u larguan autorët dhe po punojnë për kapjen e tyre.

Ata tashmë janë identifikuar, po për arsye hetimi nuk bëhen të ditur gjeneralitetet e tyre.

Më tej, bëhet me dijeni se nga këqyrja e çantave ka rezultuar se në secilën prej tyre kishte nga 25 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë një kilogramë secila gjithsej rreth 50 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet për këtë vepër penale i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme mbi veprën penale të "Trafikut të lëndëve narkotike".

n.e/NOA

KOMENTE