Tiranë, 10 prill, NOA - Drejtuesit socialistë të njësive vendore kërkojnë nga qeveria që të mos bllokojë financimet e donatorëve të huaj për këto bashki dhe komuna. Në një deklaratë për mediat, Shoqata për Autonomi Vendore thekson se heqja e fondeve nga bashkitë e majta do të sjellë dhe reagimin me të gjitha format demokratike.
"Anëtarët e shoqatës janë më të vendosur se kurrë që të përdorin çdo mjet demokratik për ta frenuar këtë revansh politik të paprinciptë dhe antikushtetues që ka ndërmarrë qeveria Berisha kundër qeverive vendore dhe komuniteteve, të cilave ato ju shërbejnë.", thuhet në deklaratën e drejtuesve të pushtetit lokal të PS-së.
Ata e kanë cilësuar si të paprecedent vendimin e qeverisë për kalimi e fondeve të Bankës Botërore, në qytetet të tjera.
"Bllokimin nga qeveria shqiptare dhe, veçanërisht, nga Ministria e Punëve të Brendshme të fondeve të Bankës Botërore alokuar për investime infrastrukturore në dhjetë bashki të vendit si Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kamëz , Korçë, Lushnjë, Shkodër dhe Vlorë, dëshmon qartë për përpjekjen e qeverisë qendrore për të frenuar zhvillimin ekonomiko-shoqëror në nivel vendor", thuhet në deklaratën e Shoqatës për Autonomi Vendore.
Bashkitë dhe komunat e PS-së vlerësojnë se kalimi i fondeve të Bankës Botërore të alokuara për projekte tashmë të aprovuara në këto bashki, 80% e të cilave drejtohen nga përfaqësues të Partisë Socialiste, "flet për diskriminimin e hapur të banorëve të këtyre bashkive nga qeveria qendrore".
Shoqata për Autonominë Vendore është bashkim vullnetar i mbi 110 bashkive e komunave, pjesa dërrmuese e të cilave drejtohen nga Partia Socialiste.
m.xh/NOA