Tiranë, 10 prill NOA - Shërbimet edukative për fëmijët e moshës nga 0 deri në 3 vjeç, vëmendja e veçantë ndaj shëndetit dhe mirërritjes së kësaj grupmoshe, kanë përfaqësuar një terren dhe impenjim të vazhdueshëm në politikat e Bashkisë së Tiranës. Mirërritja dhe edukimi i tyre është vlerësuar gjatë viteve të fundit me një rëndësi të veçantë, duke mbështetur përdorimin e një pedagogjie të posaçme për vogëlushët. Kjo ishte arsyeja për të cilën Kryebashkiaku Edi Rama, zhvilloi një bashkëbisedim në ambientet e Çerdhes nr.8 të kryeqytetit, në prani të strukturave drejtuese të Qendrës së Edukimit dhe Zhvillimit të Fëmijëve, bordit të prindërve si dhe stafit të edukatoreve të përkushtuara në punën me fëmijët.
Gjatë takimit u prezantua puna dhe standardet e arritura nga Bashkia e Tiranës, në funksionimin dhe shërbimin cilësor e profesional që ofrohet sot në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit. Kryebashkiaku Rama vlerësoi gjithashtu punën e kryer në proçesin e transformimit të infrastrukturës në këto institucione, në transformimin e cilësisë së shërbimit që ka si qëllim ofrimin e një ndërhyrje komplekse dhe të kujdesshme për fëmijët që i frekuentojnë ato dhe që sipas kreut të Bashkisë ka arritur tashmë standarde të kënaqshme.
Përveç kësaj, bashkëbisedimi u përqendrua në masat dhe punën që duhet bërë në të ardhmen, në mënyrë që kjo strukturë të zhvillohet më tej, për të vazhduar shtrirjen e rrjetit të çerdheve dhe kopshteve sa më gjerë në komunitet dhe më thellë, në shoqërizimin e fëmijëve, por edhe nevojën për bashkëpunimin e edukatoreve dhe të ekipeve të specializuara në mirërritjen e fëmijëve.
Ndër të tjera Rama u shpreh: "Sot është shumë e rëndësishme që ne të mund të themi se pas një pune jo të vogël, me vështirësi jo të vogla, kemi arritur të vendosim një lloj standardi të pranuar nga thuajse të gjithë, si një standard i kënaqshëm në çerdhet dhe kopshtet. Kemi arritur të kryejmë jo vetëm procesin e rindërtimit apo të ndërtimit nga e para të infrastrukturës, por edhe proçesin e transformimit të shërbimit".
e.r/NOA