English

Infermierët, krijohet regjistri kombëtar për të dhënat

Tiranë, 10 prill, NOA - Reformat e mëdha në sistemin shëndetësor nuk mund të kuptohen pa përfshirjen e infermierëve, kategoria më e rëndësishme, pas mjekut, prej të cilit varet kujdesi ndaj pacientit.

Për këtë arsye, ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Urdhrin e Infermierëve do të hartojë regjistrin kombëtar ku do të hidhen të gjitha të dhënat e marra nga dosjet personale të infermierëve që janë punësuar në sistemin shëndetësor publik.

Duke qenë se viti 2010 është cilësuar si viti i Infermierisë, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka deklaruar se nuk mund të kuptohet reforma e nisur pa rritjen e cilësisë së punës së infermierëve në të gjithë vendin.

"Ne mendojmë se nisma të tilla vlejnë pasi duhet të rriten më tej aftësitë profesionale të këtyre profesionistëve. Duhet rritur informimi i pacientëve shqiptarë për të drejtat e tyre dhe për cilësinë e kujdesit shëndetësor që duhet të kërkojnë, pjesëmarrja e pacientëve në këtë sipërmarrje të madhe për rritjen e cilësisë së kujdesit", u shpreh kreu i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderaj.

Sipas tij, shërbimi që infermierët japin ndaj pacientit në Shqipëri aktualisht nuk janë në nivelin e duhur kjo për arsyet e trashëguara si dhe për vlerësimin e pakët që kanë pasur ato ndër vite dhe në trazicionin e gjatë që po kalojmë, si për nivelin e formimit bazë edhe për nivelin etiko-profesional të këtyre profesionistëve.

Për ti ardhur në ndihmë kategorisë së punonjësve të infermierisë, Urdhri i Infermierëve në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë, kanë hartuar një dokument themeltar të infermierëve, i cili përmban të përfshira brenda tij, Ligjin e Urdhrit të Infermierit; Statutin e Urdhrit të Infermierit, Kodin Etik-Deontologjik si dhe dokumente të tjera të nevojshme për punën e përditshme të infermierëve.

I konceptuar në formën e një libri xhepi, ai përfshin të konkretizuara sanksionet që i presin infermierët nëse nuk e zbatojnë siç duhet punën e tyre, raportet me institucionet shëndetësore, deri ku arrin liria dhe detyrimet e një infermieri, pikat e rregullores së punës së tyre të përditshme etj.

Ky dokument u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me ISKSH-në dhe të gjitha drejtoritë e institucioneve shëndetësore në nivel rajonal, të cilat do të punojnë për zbatimin e këtij dokumenti themeltar.

b.a/NOA

KOMENTE