English

Karzai, i hutuar?

Një vend me histori shekullore, kompleksitet kulturor dhe ekonomi të rrënuar nga luftërat, dëshiron të ndjehet i respektuar

Nga Jeffrey Gedmin*

President i radios Evropa e Lirë Gjatë vizitës sime të fundit në Afganistan, pata rastin të takohem me oficerë të ushtrisë, mulla, zyrtarë të lartë të Qeverisë, gazetarë, aktivistë të OJQ-ve, parlamentarë, guvernatorë të provincave, liderë fisnorë dhe me vetë presidentin afgan, Hamid Karzai. Figurat përfaqësonin një brez të gjerë pikëpamjesh, por kishte diçka për të cilën të gjithë ishin dakord: përkeqësimi i papritur i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Karzait nuk mund të vinte në kohë më të keqe. Aktualisht, Qeveria afgane ka probleme thjesht me qeverisjen. Asgjë nuk e ilustron këtë më mirë sesa paaftësia e Qeverisë për ta kontrolluar dhunën që e ka goditur kryeqytetin, sidomos gjatë nëntë muajve të fundit. Ekonomia po ashtu është e brishtë. Çmimet në Kabul janë marramendëse, ndërsa çmimet e shtëpive janë rritur për 75 për qind. Afganët e pasur, përfshirë komandantët e luftës dhe ata që fitojnë para duke ruajtur kontraktorët e firmave të huaja, kanë prosperuar. Pothuajse të gjithë të tjerët jetojnë në varfëri të skajshme. "Mirë se erdhe në Afganistan", më tha një imam me pikëpamje shumë të moderuara. "Mirë se erdhe në vendin më të varfër dhe më të shtypur në botë", tha ai.

Kjo menjëherë na drejtoi te fjalët kyçe: korrupsioni dhe Karzai. Sipas "Transparency International", shteti është vendi më i korruptuar në planet, në një ligë me Somalinë dhe Haitin. Paaftësia për të bërë përparim në këtë fushë është arsyeja kryesore e shkëmbimit të fjalëve që Karzai dhe presidenti Barak Obama e bënë në takimin 25-minutash nga fundi i marsit, pa asnjë fotografi dhe pa konferencë shtypi. Aleatët e Karzait janë të bindur se Uashingtoni dëshiron ndryshimin e regjimit në Kabul dhe se çështja e korrupsionit po përdoret për ta delegjitimuar qeverisjen aktuale. Ndërkohë, një parlamentar i opozitës, i cili kishte marrë pjesë në një takim me Karzain këtë javë, më tha se presidenti "kishte luajtur mendsh". Akuzat e fundit të Karzait, se Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të fajësohen për manipulimet në zgjedhjet e vitit të kaluar, i lanë gojëhapur shumë njerëz në Afganistan. Komentet e tij se Qeveria mund të shihet si "qeveri kukull" dhe se lëvizja e talibanëve së shpejti mund të shihet si "rezistencë kombëtare" legjitime, u bënë objekt i talljes. Rivali i tij në zgjedhjet, Abdulla Abdullah, e akuzoi për "tradhti kombëtare". Por, nën sipërfaqe mund të shihen dallime të zymta ndërmjet dy palëve amerikane dhe afgane. Korrupsioni është çështje për afganët dhe është bërë obsesion për kryeqendrat perëndimore. Por, shumica e afganëve vazhdojnë të besojnë se kryengritja në masë të madhe financohet, trajnohet dhe drejtohet nga Pakistani. "Një vend me histori shekullore, kompleksitet kulturor dhe ekonomi të rrënuar nga luftërat, dëshiron të ndjehet i respektuar", më tha Karzai. Disa herë dëgjova se Shtetet e Bashkuara janë tepër arrogante, sepse e informuan Karzain për vizitën pak para se presidenti Obama të zbriste në Kabul. Por, problemi qëndron se kjo nuk është e vërtetë. Pala afgane ishte njoftuar disa ditë më herët. Kjo tregon qartë se është dëmtuar besimi te të dyja palët. Po Karzai është i paqëndrueshëm. Shpërthimet e tij të fundit janë të nxituara. Ka pakënaqësi me të edhe nga pala afgane. Por, ndoshta është koha që aleatët të pushojnë pak. Një udhëheqës fisnor më tha se ai nuk çan kokën për ato që thonë për Karzain. "Ne e dimë përse Shtetet e Bashkuara janë këtu". Do të ishte "turp i madh nëse amerikanët e humbin pamjen e plotë dhe largohen para se ta përfundojnë atë që e kanë caktuar si qëllim".

(*) "Foreign Policy"

KOMENTE