English

Lutaj: PD, presion e dhunë ndaj strukturave të PS në Mallakastër

Tiranë, 10 prill, NOA - Partia Socialiste ka reaguar për dhunën që është ushtruar sot mbi kryetarin e Partisë Socialiste në Mallakastër, Pajtim Ismaili. Deputeti i PS-së, Pirro Lutaj, ka akuzuar direkt strukturat e PD-së në Mallakastër dhe kryetaren e komunës Fratar, si autorë të incidentit.

"Në një reagim të shëmtuar e primitiv të PD-së ndaj protestës së banorëve të komunës Fratar, Kryetari i PS për Mallakastrën, Pajtim Ismaili është kërcënuar e më pas goditur nga Besnik Murati e Gentian Dervishi, të dy këta njerëz të nxitur nga kryetarja e komunës Fratar, Sabire Hoxha", u shpreh Lutaj në një konferencë për mediat.

Lutaj u shpreh se reagimi i strukturave të PD-së ka ardhur pas dështimit të përpjekjeve për të prishur me dhunë protestën e Partisë Socialiste në Fratar.

Ai konfirmoi se dhuna ndaj Ismailit është denoncuar dhe strukturat e Partisë Socialiste në Mallakastër e Fier ndodhen në ambientet e komisariatit te policisë Mallakastrës, në mbështetje të kolegut të tyre i cili po kryen denoncimin.

Lutaj ka kërkuar në emër të Partisë Socialiste, ndërhyrjen e policisë për të vënë përpara përgjegjësisë autorët.

Ai ka përmendur dhe incidentet e mëparëshme që kanë ndodhur me drejtues të strukturave lokale. "Dhunimi i kryetarit të PS për rrethin e Mallakastrës nuk është më një rast i veçuar e sporadik. Pak kohë më parë, pre e kësaj dhune qeveritare u bë një mbështetës i PS në fshatin Ruzhdie. Pak kohë më parë deputetit të Partisë Socialiste në Vlorë, Eltar Deda iu vendos një mjet eksploziv nën makinë, ndërkohë që mbetet ende e pazbardhur vrasja e kolegut e mikut tonë të ndjerë Fatmir Xhindi", u shpreh Lutaj.

Lutaj ka arritur në përfundimin se mungesa e reagimeve zyrtare nga PD-ja dhe kryeministri Berisha, "flasin qartë se këtu bëhet fjalë për një fushatë dhune e kërcënimesh që po ushtrohet nga partia e Sali Berishës kundër opozitës shqiptare".

Deputeti i PS-së i ka bërë thirrje kryeministrit "që të heqë dorë nga këto tentativa të kota për të trembur e për t'i mbyllur gojën opozitës, qoftë me përjashtime nga parlamenti, qoftë duke goditur e dhunuar përfaqësuesit e saj". Sipas tij kjo sjellë shton dhe më shumë vendosmërinë e PS për të protestuar.

m.xh/NOA

KOMENTE