Tiranë, 10 prill, NOA - Listës së personaliteteve shqiptare që kanë ngushëlluar autoritetet polake për tragjedinë e avionit polak në Rusi, i është shtuar dhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Në një telegram ngushëllimi drejtuar homologut të tij, Radoslaw Sikorski, Meta shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së presidentit Kaczynski dhe delegacionit që e shoqëronte atë.
"Me një tronditje të fortë dhe me hidhërim të thellë mësova lajmin e aksidentit tragjik, të mëngjesit të sotëm, që pësoi avioni ku udhëtonte Presidenti Lech Kaczynski, Zonja e tij, si dhe delegacioni me dinjitarë polakë, që fluturonte drejt Smolenskut, për të marrë pjesë në ceremonitë e lokalitetit Katyn, në respekt të kujtesës historike", është shprehur Meta në mesazhin e tij.
Ai vlerëson se humbja e madhe që po përjeton Polonia dhe populli mik polak, "na kanë prekur rëndë dhe shumë thellë të gjithëve".
Meta shpreh ngushëllimet e tij për ministrin e Jashtëm, anëtarët e kabinetit qeveritar polak, popullin polak, si dhe "familjeve që ndjejnë drejtpërdrejt këtë humbje". m.xh/NOA