English

Për një shtet të fortë dhe vlera kombëtare

Portret i presidentit të vdekur polak Lech Kaczynski

Lech Kaczynski ishte president i Polonisë prej 2005-ës dhe donte të rikandidonte në vjeshtë të këtij viti. Ai vdiq në mënyrë tragjike në moshën 60 vjeç.

Lech Kaczynski ishte prej dhjetorit 2005 president i shtetit polak. Ai u bë i njohur në mbarë vendin që në moshën 12 vjeç. Bashkë me vëllanë binjak Jaroslaw ai ishte yll i filmave kinematografikë me përralla për fëmijë. Vëllezërit lindën më 18 qershor 1949 në Varshavë. Gjatë Luftës II Botërore prindërit e tyre luftuan në kryengritjen e Varshavës kundër pushtimit gjerman.

Besimtari katolik studioi drejtësi dhe hyri në politikë. Kur në fillim të viteve tetëdhjetë punëtorët polakë krijuan kundër vullnetit të pushtetmbajtësve komunistë sindikatën Solidarnosc ai ishte në anën e opozitës dhe ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të udhëheqësit sindikalist Lech Walesa.

"Synimi më i rëndësishëm për ne ishte zgjedhja e Lech Walesës si president i Polonisë. Ai duhet të zgjidhej, me gjithë dallimet që ekzistonin", - kujton ai më vonë. Por me marrjen e pushtetit politik në vitin 1990 prej Solidarnoscit rrugët e dy veprimtarëve u ndanë. Kaczynskin e tërhoqi gjithmonë e më shumë ana e djathtë dhe në kësisoj edhe opozita politike. Bashkë me vëllain e tij Jaroslawin ai krijoi Partinë nacional-konservatore për të Drejtë dhe Drejtësi (PiS). Ai u angazhua për një shtet të fortë dhe theksonte vlerat kombëtare. Nga viti 2000 deri në vitin 2001 Lech Kaczynski ishte ministër i drejtësisë. Në 2005-ën u zgjodh kryetar shteti.

"Ky është një sistem politik i ri. Kjo është prerja e urave me traditat post-komuniste, me të gjitha hallkat e dobëta dhe sëmundjet s shoqërisë", - deklaronte atëherë Kaczynski.

Që atëherë Polonia konsiderohej si "republika e binjakëve", sepse vëllai i tij, Jaroslawi, që i ngjante jashtëzakonisht, ishte nga 2006-a deri në 2007-ën kryeministër. Gjatë kësaj kohe vendi u zhvendos me shpejtësi të madhe drejt së djathtës në kampin nacional-konservator ose nacional-katolik. Atje presidenti i ri Kaczynski u profilua para së gjithash me kërkesat për një shtet të fortë me tone kritike ndaj Evropës dhe shpesh anti-gjermane. Kulmi i fushatës ishte kërkesa e afro 50 miliardë dollarëve, që Kaczynski e bëri në vitin 2004 kur ishte ende kryetar i bashkisë së Varshavës për dëmet nga Lufta II Botërore dhe donte t'ua vinte në faturë gjermanëve. Por pas zgjedhjes si president (në vitin 2005) ai nuk donte të dinte më për akuzat e veta dhe u përpoq që t'i afrohej sërish Evropës e veçanërisht gjermanëve.

"Më gëzon mirëdashja e kancelares në luftën tonë për një buxhet optimal të Bashkimit Evropian", shprehej Kaczynski.

Lech Kaczynski vdiq të shtunën (10.4.) bashkë me të shoqen. Ai lë një vajzë të rritur. Kryetari i parlamentit polak Bronislaw Komorowski vendosi një javë zi shtetërore pasi mësoi për lajmin e rrëzimit të avionit, në të cilin vdiqën presidenti polak Lech Kaczynski dhe politikanë të tjerë. /dw/

Foto: Vëllezërit binjakë Lech Kaczynski (djathtas) dhe Jaroslaw Kaczynski (majtas) në Varshavë. 01.08.2005

KOMENTE