Tiranë, 10 prill, NOA - Partia Socialiste ka kërkuar sot që qeveria të marra masa për të parandaluar numrin e madh të vetëvrasjeve që ndodhin në vend. Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni në një deklaratë për mediat e cilësoi si alarmante situatën. Ajo u shpreh se kriza ekonomike është një prej arsyeve që ka shtuar numrin e rasteve të këtij fenomeni.
"Shkaqet e këtyre vetëvrasjeve e kanë zanafillën në gjendjen e vështirë ekonomike, nivelin e lartë të stresit, pasigurinë për jetën, mungesën e shpresës për të ardhmen, dhe për më tepër zhgënjimit të shqiptarëve të cilët, sigurisht, e kishin menduar ndryshe demokracinë", u shpreh Gjermeni.
Ajo shtoi se kriza ekonomike që ka mbërthyer shqiptarët nuk mund të fshihet më. Sipas saj "portofoli i çdo familje shqiptare e tregon më së miri këtë krizë".
Gjermeni u shpreh se nuk mund të gjendet justifikim "për rritjen shqetësuese të numrit të vetëvrasjeve në Shqipëri, numër i cili është nga më të lartët në rajon".
Deputetja e PS-së ka argumentuar se duhet të marren masa të menjëhershme për të parandaluar këtë dukuri sociale. Sipas saj qeveria duhet "të mos mjaftohet me deklarata boshe për rritjen e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies".
Në këtë linjë, PS-ja ka propozuar hartimin e një strategjie e cila duhet të synojë parandalimin dhe trajtimin e vetëvrasjeve si problem të të drejtave të njeriut dhe problem të shëndetit publik.
"Por, një qasje e tillë kërkon pikë së pari që qeveria të mos mendojë thjesht e vetëm për pushtetin e saj, por të shohë realitetin në sy, të njohë krizën e thellë sociale, rritjen e varfërisë, papunësinë, pabarazinë, mungesën e shanseve", përfundoi Gjermeni.
m.xh/NOA