Uashington, 10 prill, NOA - "Dua ta shoh Maqedoninë në NATO dhe nuk kam problem që ta quaj Maqedoni, por puna është në atë që Greqia vendos veto jo vetëm për NATO-n por edhe për BE-në, kështu që duhet të kërkohet ndonjë zgjidhje".
Kështu pohon Daniel Server nga Instituti për Paqe në Uashington, i cili nuk dëshiron të parashikojë nëse problemi mund të zgjidhet së shpejti, por konsideron se nuk duhet të zvarritet.
"Ky është problem relativisht i thjeshtë, nuk paraqet problem territorial, nuk nënkupton identitet kombëtar. Konsideroj se maqedonasit kanë identitet kombëtar sikur edhe grekët. Unë do ta quaj vendin Maqedoni derisa populli në Maqedoni nuk më thotë ta quaj ndryshe. Identiteti i njerëzve dhe i vendit nuk është nën dyshim. Problemi i vetëm që e keni është ai me një fqinj të rëndësishëm dhe disi duhet të gjeni zgjidhje për të. Ajo që është e nevojshme në këtë rast është vullneti politik i dy palëve që të gjejnë kompromis dhe atë do të dëshiroja ta shihja këtë vit", thekson Server.
Sa i përket faktit nëse mund të jenë Shtetet e Bashkuara ato që do ndërhyjnë për emrin, Server pohon se nuk mund të jetë Uashingtoni ai që të hyjë në mes Shkupit dhe Athinës.
"Mendoj se çështja për emrin duhet të zgjidhet me negociata mes Maqedonisë dhe Greqisë. Amerikanët tentojnë të kontribuojnë për zgjidhje përmes diplomacisë, por mendoj se askush në Uashington nuk mund ta bëjë këtë në vend tuaj", deklaroi ai.
n.e/NOA