English

Shoqata e Hidrokarbureve: Tatimorët, abuzime me fiskalizimin e tregut

Tiranë, 10 prill, NOA - Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, përmes një deklarate për shtyp ka kritikuar ato që ajo i ka cilësuar si "metoda arbitrare dhe abuzive mbi të cilat administrate tatimore po synon të realizojë objektivat e saj në fushën e implementimit të projektit për fiskalizimin e tregut të hidrokarbureve".

"Penalizimi i shoqërive të hidrokarbureve nuk është zgjidhja e duhur e administratës tatimore", thuhet në këtë deklaratë.

Më tej, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohon shqetësimin në vijimësi lidhur me mangësitë në përmirësimin e procesit të fiskalizimit të pajisjeve që tregtojnë karburante, duke qenë pjesë e përmirësimeve ligjore e nënligjore në fushën respektive.

"Por megjithë kërkesat e vazhdueshme të SHSHH për t'i afruar Ministrisë së Financave opsione që do të ishin realiste dhe plotësisht të mundshme për të realizuar këtë proces, nga kjo ministri nuk është marrë asnjë parasysh", shtojnë më tej drejtuesit e SHSHH-së.

Sipas tyre, nga pesë shoqëri që janë zgjidhur për fiskalizim, këtë lloj pajisje fiskale e ofron vetëm një prej tyre, por edhe kjo shoqëri nuk e implementon dot në praktikë, duke nxjerrë pretendime për llojin e pompave dhe duke e shtyrë procesin kohë pas kohe.

"Pra, me vendime të njëpasnjëshme qeverie, duke shkelur gjithë parimet e lirisë së tregut, kompanive u caktohet lloji i pajisjes dhe shitësi ku duhet ta blejnë. Në të njëjtën kohë kur vetë shitësi nuk i përgjigjet dot kësaj lloj pajisje, ai ka të drejtën të vendosë çfarëdo lloj çmimi shitjeje, sepse është pa konkurrencë në treg", përfundon deklarata.

n.e/NOA

KOMENTE