English

Tubim në Ferizaj, përkujtohet Enver Hoxha

Ferizaj, 10 prill, NOA - Një grup qytetarësh nga Ferizaj, të tubuar rreth "Frontit për mbrojtjen dhe kultivimin e rrugës revolucionare të shokut Enver Hoxha", organizuan sot marshin përkujtimor me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së ish-diktatorit komunist shqiptar.

Kryesuesi i këtij fronti, profesori i sociologjisë Remzi Hasani, ka thënë se Enver Hoxha ishte ai që urdhëroi zhdukjen dhe çrrënjosjen e analfabetizmit, që mobilizoi tërë një popull për ndërtimin e jetës së re, duke ngritur fabrika, uzina, plantacione e deri te ndërtimi i gjiganteve të fuqishme elektrike dhe sistemit të modernizuar të mbrojtjes së atdheut.

"Sot, fatkeqësisht, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, të huajt sillen si zot shtëpie, kurse vendorët si ardhacak. Kjo ndodh pasi që në vitet e nëntëdhjeta filloi epoka e errët e përmbytjes shqiptare, e shkatërrimit të të gjithë asaj që populli e kishte ndërtuar për 40 vjet së bashku me komandantin legjendar Enver Hoxha", tha Hasani.

Në Ferizaj prej pas luftës janë mbajtur shumë takime përkujtimore kushtuar Enver Hoxhës, ndërsa edhe një shesh në qytet është i pagëzuar me emrin e ish-liderit komunist nga përfaqësuesit e këtij fronti.

NOA-INA

KOMENTE