English

E jashtëzakonshme, por e vërtetë, Andy Warhol e Pikaso në Tiranë

Tiranë, 11 prill, Milena Selimi, NOA - Rubens Shima, drejtori i Galerisë Kombëtar, kishte kohë që e fliste dhe mes miqve të tij ndante një lajm të jashtëzakonshëm. Ngjante e pabesueshme, por, ai është bërë më së fundi realitet.

Më 21 prill, ekspozita me disa nga emrat më të mëdhenj të historisë së artit do të jetë në Shqipëri. Në kuadër të stinës shqiptaro-italiane: "Dy popuj, një det, një miqësi" do të vijë në Shqipëri koleksioni privat i të mirënjohurit Francesco Martanit, që përbëhet nga plot 71 punë.

Për fat, ai është shumë i pasur me emrat më të mëdhenj e më të rëndësishëm të artit modern përgjatë shekullit XX dhe publiku do të ketë mundësinë që për herë të parë të shikojë nga afër titanët e arteve pamore botërore.

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Veprat e piktorëve me famë botore, emrat e të cilëve kanë bërë "epokë" në artet pamore do të vijnë së bashku në një ekspozitë të jashtëzakonshme pikture në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ekspozita do të hapet në datën 21 prill dhe në të do të ekspozohen vepra të piktorëve me famë botërore si Pablo Picasso, Andy Warhol, Francesco Clemente, Francis Bacon, Jean Michel Basquiat, Marc Chagall, Mario Sironi, Piet Mondrian, Rene Magritte, Sandro Chia etj.

Vlerat e pikturave që do të mund të shihen në datën 21 prill shkojnë në miliona euro, për shkak të vlerave, emrave të autorëve dhe rëndësisë që kanë për artin pamor. Kësisoj, planifikohet që gjatë kohës së ekspozimit ato do të ruhen me masa të rrepta sigurie.

m.s/NOA

KOMENTE