English

Këshilli Bashkiak kundër Ramës: Mirato planin belg për sheshin "Skënderbej"

Tiranë, 11 prill, NOA - Këshilli Bashkiak del kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës në lidhje me debatin për sheshin "Skënderbej", mes bashkisë e qeverisë.

Kreu i saj, Sokol Dervishaj, përfaqësues i forcës politike LSI, deklaroi sot për mediat se bashkia e Tiranës duhet të marrë miratimin e KRRTRSH-së për planin belg, për rikonstruktimin e sheshit "Skenderbej".

Sipas tij, krijimi i problemeve ligjore mbi objektin është shqetësues edhe përsa i përket marrëdhënieve me donatorin kryesor i cili në këtë rast është qeveria e Kuvajtit.

"Ky shesh po ndërtohet me një donacion bujar të qeverisë kuvajtiane dhe politizimi i skajshëm, dhe mosrespektimi i procedurave nuk dëmton thjesht punimet e sheshit, po dhe një raport shumë më të rëndësishëm, që është raporti me donatorët. Për vendime të tilla duhet marrë miratimi i të gjitha instancave përkatëse. Pa dyshim që dhe KRRTRSH-ja, në bazë të ligjit për urbanistikën, ka rolin e saj në këtë vendimmarrje", tha kryetari i Këshillit Bashkiak, Tiranë.

Ai i bëri thirrje si qeverisë ashtu edhe bashkisë së Tiranës që të jenë të kujdesshëm në trajtimin e çështjes së rikonstruksionit të sheshit, në mënyrë që të mos përsëritet historia si në rastin e mbikalimit tek Zogu i Zi.

Ai pohoi se Këshilli bashkiak i Tiranes do të miratojë buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2010.

Dervishi tha se së shpejti do të dërgohet në KRRTRSH plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës.

b.a/NOA

KOMENTE