Shkup, 11 Prill NOA - Kryetari i DR-së (Demokracia e Re), Imer Selmani i ka bërë thirrje publike liderit të BDI Ahmeti që t'i harmonizojnë qëndrimet rreth ndryshimeve kushtetuese, pasi ka vlerësuar se propozimet e të dyja subjekteve janë të përafërta. "Ftoj publikisht zotin Ali Ahmeti që para se të vazhdojnë takimet eventuale mes ekspertëve ashtu siç zoti Ahmeti propozoi në takimin e liderëve, ne si parti politike shqiptare të cilat veçmë kemi propozime të ngjashme, t'i harmonizojmë njëherë qëndrimet dhe së bashku propozoj të marrim vendim nëse ka nevojë të jemi pjesë e atij teatri të pafund ose do t'i japim fund dhe kur të vetëdijësohen politikanët maqedonas se duhet të pranohen edhe propozimet e shqiptarëve, atëherë mund të vazhdojnë negociatat", ka deklaruar Imer Selmani.
Ai ka vazhduar duke cekur se ndryshimet kushtuese nuk janë aspak korrekte dhe nuk është qasje racionale nga politikanët maqedonas që propozimet e partive politike shqiptare vetëm të fokusohen në atë pjesë e cila është definuar me Marrëveshjen e Ohrit, kurse propozimet e tyre mund të dalin edhe jashtë saj. Ajo edhe njëherë sqaron tendencën e majorizimit.
***
Lideri i DR-së sot i dërgoi një letër kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti me të cilën propozoi që partitë shqiptare relevante të ulen bashkërisht dhe t'i harmonizojnë qëndrimet për ndryshimet kushtetuese, para se të mbahet takimi i radhës i liderëve.
"Është e nevojës dhe e kohës kur dy partitë politike tjera maqedonase, veçanërisht kryeministri Gruevski i cili deklaroi se nuk do të mund t'i pranojë këto kërkesa që takimi në nivel të ekspertëve ashtu siç propozoi z.Ali Ahmeti të mos mbahet derisa të mos kemi një harmonizim mes përfaqësuesve të DR-së dhe BDI-së. Nga këtu propozoj që me qëndrime të kordinuara dhe të përbashkëta të dalim tani veçmë vizavi propozimeve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së para së gjithash për ndryshimin e Kushtetutës", tha Selmani.
Kreu i DR Selmani porositi se në rast se partitë politike maqedonase nuk do të mbështesin kërkesat e tyre, atëherë edhe DR-ja nuk do të pranojë propozimet e tyre.
"Nënkuptohet se ndryshimi i Kushtetutës është një akt shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët, por në moment pas 10 viteve të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, vlerësojmë se ndryshimet e kushtetutës në drejtim të avancimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve duhet bërë tani", - përfundoi Selmani.
z.r/NOA