English

Kriza greke, Konfindustria: Shteti të frenoj largimin e parave jashtë vendit

Tiranë, 11 prill, NOA - Kriza ekonomike greke mund të ketë pasoja në ekonominë shqiptare nëse nuk merren masat e duhura. Konfindustria propozon dy nisma për të minimizuar efektin e problemeve në bankat greke.

Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku, deklaron se emigrantët duhet të depozitojnë paratë e tyre në banka shqiptare dhe se institucionet duhet të mos lejojnë kalimin e transaksioneve nga bankat tona drejt Greqisë.

"Duke marr shkak nga lajmet e fundit shqetësuese për shenjat e para të tronditjes së sistemit bankar në Greqi si pasojë e tërheqjeve masive të depozitave nga qytetarët dhe biznesi, kërkon sensibilizimin e emigrantëve shqiptare, që të vlerësojnë sa më shpejt mundësinë e zhvendosjes së kapitaleve të tyre nga sistemi grek për në sistemin bankar shqiptar, që ndodhet në gjendje mjaft më të mirë financiare", u shpreh Buxhuku sot në emër të Konfindustrias.

Në këtë linjë ai ka sqaruar, se pavarësisht se një pjesë e sistemit bankar shqiptar është në pronësi të bankave "mëmë" në Greqi, ligjet në fuqi në Shqipëri, lejojnë kalimin jashtë vendit vetëm të dividentit të krijuar.

"Kjo do të thotë, se sistemi bankar shqiptar përfshi edhe bankat me kapital grek është krejtësisht i mbrojtur nga goditjet nga jashtë si dhe nga gjendja e vështirë e sistemit bankar grek", u shpreh Buxhuku.

Bushuku shtoi se emigrantët shqiptare kanë të gjitha mundësitë, që kapitalet dhe njohuritë e përfituara ti përdorin me efektivitet në atdheun e tyre ku nevojat janë të mëdha. "Vetëm defiçiti tregtar i Shqipërisë në sektorin bujqësor dhe agroushqimor, ku një pjesë mjaft e madhe e emigrantëve shqiptare punojnë në Greqi, është mbi 500 milion euro/vit, duke krijuar kushte mjaft të mira për investime", u shpreh ai.

Nga ana tjetër Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria ka bërë apel për institucionet e vendit për të frenuar daljen jashtë vendit të parave shqiptare që kanë në administrim bankat greke.

"Gjithashtu, duke marr shkak nga përballja e mundshme e ekonomisë së Shqipërisë me pasojat e krizës së rëndë ekonomike dhe financiare në Greqi, i kërkon institucioneve shtetërore të ndalin sa më shpejt dhe me çdo kusht daljen e paligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare", u shpreh Buxhuku.

m.xh/NOA

KOMENTE