English

Protestë e PS në Kodër Kamëz, Dokle: Kështu nuk shkohet në Europë

Tiranë, 11 prill, NOA - Partia Socialiste ka vijuar dhe sot protestat kundër qeverisë. Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle, i cili drejtonte protestën në Kodër Kamëz, pasi u është referuar të gjitha problemeve që ka sot vendi dhe abuzimit të qeverisë u shpreh se "kështu nuk shkohet në Europë".

Dokle theksoi se PS është në krye të protestuesve "në mbarë Shqipërinë nga Tropoja deri në Konispol, nga Vlora në Shkodër, nga Kukësi në Durrës, nga Berati në Korçë e kudo". Sipas tij protestat kanë një mesazh të qartë për qeverinë, " për ti thënë Berishës hap kutitë ose largohu dhe ndal rrënimit ekonomik të Shqipërisë".

Gjatë protestës banorët e kësaj zone kanë ngritur shqetësime për koston e lartë të jetesës, rritjen e faturave të dritave dhe për ujin e pijshëm.

Në fjalën e tij, Dokle u shpreh se qeveria duhet të hap kutitë. "Duke hapur kutitë hapet e drejta dhe hapet rruga e zhvillimit të Shqipërisë. Sali Berisha duke mbajtur kutitë e mbyllura do të mbajë mbyllur tunelin e Kukësit, Sali Berisha duke mbajtur kutitë e mbyllura synon të mbajë të mbyllura dosjet e ministrave të tij të korruptuar", tha Dokle.

Në fund, deputeti i PS-së u bëri thirrje banorëve të Kodër Kamëz të marrin pjesë në mitingun e madhe të 30 prillit.

m.xh/NOA

KOMENTE