Turne një javor në rrethe për prezantimin e këtij programi
Tiranë, 12 prill NOA - Në kuadër të programit Bota e Ndryshimit, Fondacioni Vodafone Albania është duke realizuar një turne në disa rrethe të vendit për të prezantuar dhe iu përgjigjur pyetjeve të aplikantëve të interesuar. Gjatë ditës së sotme, përfaqësues të Fondacionit ishin në Korçë dhe në ditët që vijnë ata do të jenë në Gjirokastër, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër.
Programi Bota e Ndryshimit është një projekt unik që bazohet në identifikimin dhe nxitjen e ideve më të mira mes njerëzve, për të ofruar alternativa dhe ndërmarrë veprime konkrete në zgjidhjen e problemeve specifike shoqërore.
Programi ofron mundësi reale për këdo që ka pasionin dhe entuziazmin për të sjellë ndryshim në jetën e njerëzve në nevojë dhe iu mundëson aplikantëve të përzgjedhur të punojnë me kohë të plotë përgjatë një viti pranë një organizate të identifikuar prej vetë atyre.
Ky program është duke u realizuar njëkohësisht dhe ne 13 shtete të tjera ku janë prezente fondacionet Vodafone.
E financuar nga Vodafone Albania Sh.A. dhe Vodafone Foundation në Mbretërinë e Bashkuar, programi Bota e Ndryshimit vjen në Shqipëri për të tretin vit rradhazi, këtë radhë i zgjeruar për të pranuar më shumë aplikantë. Periudha e aplikimit për programin Bota e Ndryshimit është hapur qysh prej datës 3 prill dhe do të vijojë deri në datën 7 maj, 2010.
Sipas drejtuesve të Fondacionit, gjithkush është i ftuar t'i bashkohet këtij programi për të bërë një ndryshim sado të vogël në jetët e atyre që kanë nevojë. Informacione të mëtejshme për kriteret specifike dhe mënyrën e aplikimit mund të merren duke vizituar faqen zyrtare të Vodafone përmes spotit publicitar tek NOA ose duke hyrë direkt në seksionin e Fondacioni Vodafone Albania.
e.n/NOA