English

INSTAT: Ekonomia në 2009, u rrit me 3.3%

Tiranë, 12 prill, NOA /Rajmonda Lajthia - Instituti i Statistikave i ka dhënë fund optimizmit që ka shoqëruar zyrtarët gjatë vitit 2009 lidhur me rritjen dyshifrore ekonomike që do të kishte Shqipëria.

Sipas këtij institucioni, ekonomia jo vetëm që nuk u rrit me dy shifra, por nuk u arrit as objektivi i buxhetit të rishikuar, prej 4.8%.

Të dhënat paraprake të INSTAT-it tregojnë se ekonomia në vitin që lamë pas u rrit vetëm me 3.3%.

Duke bërë publike shifrat e llogarisë kombëtare për tre-mujorin e fundit të 2009, INSTAT konstatoi se ekonomia u ul me 0.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa u ul me 2.4% krahasuar me 3-mujorin e tretë të 2009-s.

Ndonëse 6-mujori i parë dha shenja pozitive të rritjes së sektorëve ekonomik, në pjesën e dytë të vitit, ajo që u vu re ishte një ngadalësim i ritmeve, për shkak të efekteve negative të krizës ekonomike.

Sipas Ledion Shahinit, përgjegjës për llogaritë kombëtare pranë INSTAT, sektori i industrisë dhe ai i ndërtimit kanë pësuar rënien më të madhe.

Ndërsa tregtia, post-telekomunikacioni, bujqësia apo transporti kanë shënuar rritje. Ndërsa përsa i përket konsumatorëve, rritja ekonomike prej 3.3% duket se nuk është përkthyer në një përmirësim të jetesës së tyre, për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazë. Rritja e pagave dhe pensioneve duket të jetë zhvlerësuar me inflacionin vjetor, norma e të cilit ka arritur në kufijtë e 3%.

r.l/n.e/NOA

KOMENTE